E Hënë, 2 Nëntor 2026

Roland Tasho, stinet bardhe e zi "Anes Lanes"

24/12/2004  Roland Tasho

Stinët bardhë e zi të Lanës

“Anës Lanës” i ka qëlluar fotografit Roland Tasho për të bërë rrugën e lumit të pisët në çdo stinë. Në kryeqytet ku lumë nuk ka ndonjë bukuri. Më i shpifur u bë para do vitesh kur kioskat lëshonin jashtëqitjen e tyre në atë lumë që kutërbonte era qelb gjithë ditën e ditës. Në brendësi, në kurriz të të dy anëve, godinat jepnin pamje llahtar. Në mënyrë paradoksale, Tasho thotë se ai ishte materiali i bollshëm për foto. Ishte rasti pas ‘0 kur fotoja po lëviznte nga njerëzit e lumtur të socializmi dhe natyra e qetë. Ekstremisht fotografi ka sjellë një alkimi të këtij lumi, që vetëm shprishet, qysh prej viteve ’30 deri në vitin 2004. Ndërsa tani shtrati duket se po shkon në vend, kjo ishte një memorje historike prej 40 fotosh të ekspozuar në Galerinë private Zenit, po buzë Lanës. Tani njerëzit kërkojnë “vjeshtën”, qetësinë, butësinë...këto janë arsyet pse Tasho në këtë ekspozitë gjen prehje krejt të veçantë nga bardhë e zija e stinëve të Lanës.

“Anës Lanës” i ngjason një dokumentari fotografik herë spontane dhe herë si e paramenduar. Ishte synim apo ide për lumin e “pisët” të kryeqytetit?

Ka mbi 20 vite që “prurjet” e Lanës ka ndërruar shumë stinë. Ideja për këtë ekspozitë më lindi, pra duke parë kryesisht ndryshimet e fundit të Lanës, dhe më gjerë të Tiranës. Duke e ditur se në arkivin tim kisha fotografi të vjetra të lumit, që nga vitet e mira të para me fotografinë, nga vitet ’80, atëhere këto ndryshime mendova t’i shpreh. Meqë fotografia është profesioni im mendoj se kjo është një mënyrë shumë e mirë për memorjen.

Shtysa tjetër për të ardhur në këtë ekspozitë ishte dhe fakti se ne e kemi si me mangësi kujtesën vizive, harrojmë shumë shpejt. Para pesë viteve ishte një situatë komplet tjetër në Lanë.

Tendenca realiste është e dukshme në ekspozitë, ku është syri i artisti në këtë cikël, përvec anës historike?

Fotografia, në këtë rast, dhe në shumë raste të tjera për mua më e rëndësishme është që të jetë realiste. Kjo është korniza ime për të dhënë atë që shoh pa sofistikime.

Në një ekspozitë, në një cikël fotosh nuk është e thënë të jetë me foto artistike. Tek “Anës Lanës”, të përbërë prej 40 fotove pikasen dhe dy-tre artisitke.

Por më tepër kisha mendimin të jepja ecurinë, historikun e Lanës, meqë kam punuar dhe me arkivin e vjetër të fotove nga vitet ’40-50, që përfshin një pjesë të mirë të qytetit.

Pak më ftohtë, Lana asnjëherë nuk ka pasur bukuri të qëndrueshme, ku shikohet në ekspozitë si një “album” nostalgjik. Cili është përjetimi i fotografit në këtë rast?

Ka vërtetë një lidhje nostalgjike për mua si fotograf lumi i Lanës. Kam shtëpinë buzë lumit dhe me vite kaloj rrugën rrëzë saj. Edhe ekspozita rrinte mjaft mirë, me pagëzimin “Anës Lanës”, në Galerinë Zenit, që është shumë afër lumit.

Ky nuk është një përjetim i rastit, janë shumë gjëra simbolike të bëra bashkë. Por thjesht i jam kthyer arkivit. Gjithë këtë retrospektivë e bëra për t’ju rikthyer ndryshimeve, gjëlbërimit që është sot si dhe ndriçimi etj

Si fotograf përveç fokusimit në blic të lumit, çfarë ke përjetuar në këtë proçes transformimi?

Kjo është e rëndësishme sepse ajo periudha e procesit të kioskave ishte shkatërruese për Lanën. Mbase në ballore dukej ndryshe ndërsa nga pas i rrinin shumë keq lumit. Ndërsa tani duket se është krejt ndryshe... Për këtë ndërhyra dhe me një çift në foto duke bërë pakt me to për t’i fotografuar pranë Lanës. E kisha këtë ide ngaqë vetëm në Senë fotografojnë çifte që kalojnë nëpër Paris.

Pse është kjo prirje për të veçuar në foto anët që janë neveritëse, të dhimbshme apo të dhunshme ndërsa sikur anashkalohet pak fotoja e qetë, peisazhi etj?

Përkundrazi unë e shikoj edhe këtë sepse si mua është dhe realiteti i pasqyrimit të kësaj fotografie. Në këtë ekspozitë kam parë se njerëzit janë ndalur tek tabloja e vjeshtës. Këtë punë e kam riprodhuar disa herë, duke vënë re se siç jam unë i lodhur me ngjarje, dhe këtë periudhë të vështirë, ashtu dhe të tjerët janë të raskapitur, sidomos kjo raca jonë. KËtë fakt e përforcojnë dhe mjaft miq e kolegë që merren me foto, të cilët i janë kthyer natyrës së qetë, peisazhit, deborës, etj.

Disa foto janë pa data sidmos ato që tregojnë “përmbytjen” e Lanës me llac e tulla, po këto foto janë dhe pa ngjyra. Është kjo një zgjedhje për të harruar?

Nuk kam pasur ndonjë synim konkret për të mos shënuar datën, thjesht ajo periudhë është shumë e njohur për të gjithë shqiptarët. Dihet se kujt viteve i përkasin ato fotot që tregojnë Lanën e bllokuar nga dyqanet dhe ndërtimet përgjatë saj.

Sa për ngjyrat ato janë foto arkivi ku diku kam punuar me ngjyra e diku tjetër bardhë e zi. Kanë qenë ditë kur shkoja për në punë, në ATSH. Çdo ditë kaloja rrëzë Lanës dhe herë pas here nxirrja aparatin dhe bëja foto, pa ndonjë synim, thjesht nga kurioziteti, çfarë më bënte përshtypje.

Do “shëtisni” me këtë ekspozitë?

Për këtë ekspozitë kam një ofertë për ta hapur në Francë dhe njëkohësisht pata dhe një ofertë për të bërë një ekspozitë për Parkun Rinia, se si ka qenë dikur. Ndoshta mund t’ja lë dhe ndonjë institucioni për ta patur si album.

Me Francën si u lidhe keni ndonjë menaxher atje?

Nuk kam menaxher, as kam pasur ndonjëherë gjithmonë i bëj vetë punët. Kam mbajtur vazhdimisht lidhjet me jashtë e kam më të lehtë të hap ekspozitë jashtë. Mendoj që kjo ekspozitë do të jetë në Paris në pranverë.

Po a jeni i sigurtë se kjo ekspozitë do të pritet mirë atje duke njohur mentalitetin francez?

Pak a shumë e njoh mentalitetin e atjeshëm. Atje ka një distancë shumë të madhe sa i përket fotografisë me pjesën tonë, sepse atje është vendlindja e fotografisë. Sa herë shkoj në Paris më duket vetja si në shtëpi, si vendali profesionalisht sepse ato kanë një tjetër kulturë dhe vlerësim komplet ndryshe, nuk ka të krahasuar. Ne jo vetëm që nuk e njohim, por them pa frikë se ne jemi diku nga mesi i Afrikës në lidhje me Evropën sepse jemi vendi i vetëm që nuk ka një album për Shqipërinë në një kohë që janë mbi 20 albume që kanë bërë të huajt si francezët, italianët, austriakët, spanjollët etj. Pikërisht këtë vuaj kur them Shqipëria ose vendi pa albume.

Sa për ekspozitën time se si do të pritet atje, them se nuk do të ketë parizienë të panjohur sigurisht pres që të më shikojnë fotot, parizienë që kanë lidhje me Shqipërinë.

Do t’i shisni fotot nëse vijnë kërkesat?

Sigurisht që do t’i shes dhe kërkesa kam pasur sidomos për fotografinë “Vjeshta”.

Nuk e di më tutje se si do të shkojë.

Intervistoi: Violeta Murati

Diktatura, vetëm me foto të lumtura

Është pak paradoksale me atë që i ka ngjarë Lanës.

Si fotograf kur ke pasur material më të bollshëm, motiv për foto më mbresëlënëse?

Këto vitet e tranzicionit me transforimimet e mëdha të Lanës kam bërë shumë foto. Unë jam fotograf që i përkas dy sistemeve. Para ’90-ës ne fotografonim peisazhe, gjëra të bukura të gëzuara, të lumtura. Ndërsa pas ’90 duke u marrë më shumë me shtypin, në fotot tona kishte vetëm ngjarje, deri diku dhe gjak, demostrata etj. Pothuaj për një 10 vjeçar punoja në një sistem të tillë pune. Ndërsa para ’90-ës, në atë kohë në revistën “Ylli”, stampoheshin foto shablllone vetëm me gjëra të bukura, njërez të lumtur. Kjo mënyrë na transformoi profesionin.

Kur shkonim në fabrike për të fotografuar nuk shkonim direkt, por të nesërmen, pasi ishte pastruar tornoja dhe çdo gjë dukej e pastër. Shumë nga këto nuk i kam fotografuar por shumë prej tyre i ruaj në arkivin tim. Por pas ’90 vazhdoi një periudhë mjaft e lodhshme. Kishte njëkohësisht dhe material të bollshëm për një artist për të fotografuar sepse gjithmonë atje ku ka keq dhe ka dhunë është më interesante, atje ngulmon edhe media. Dhe më vjen shumë mirë që pasi kaluam mjaft trauma këto dy vitet e fundit u jemi kthyer peisazhit, arkitekturës, arkeologjisë dhe gjëra të veçanta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›