E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hervin Çuli, "Hijet...", perplasjet e unit shqiptar

24/12/2004  Hervin Çuli

"Hijet...", përplasjet e unit shqiptar

"Një vepër që diktatura për shumë vjet e mbajti në sirtarët e arshivave të teatrova, pasi inteligjenca e Vedat Kokonës binte ndesh me parimet e sistemit". Kështu do ta cilësonte dramën "Hijet e natës", regjisori që e ngjiti në skenë pas kaq shumë vitesh këtë vepër, Hervin Çuli, premiera e së cilës do të prezantohet ditën e shtunë, 25 dhjetor, dhe përsëri ditën e dielë, në Teatrin Kombëtar. Në konferencën për shtyp, organizuar për këtë rast, ku ishin të pranishëm edhe aktorët që do të luajnë në këtë dramë, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Fatos Sela, Rajmonda Bulku, Suela Ponjari, Arben Derhemi etj., Çuli ka theksuar se është përpjekur që këtë vepër të fondit të artë ta prezantojë para publikut me një dimension tjetër, "duke e pastruar edhe nga ato pak korniza ideologjike, që Kokona, i cili për të 'mbijetur' ishte i detyruar t'i vishte veprës", duke shtuar se ndjehet shumë i nderuar që një pjesë e Kujtim Laros do të përbëjë kolonën muzikore të veprës dhe për bashkëpunimin me Kristo Çalën, skenograf dhe kostumograf i dramës. Thelbi i veprës është jeta, paqja, dëshira për të jetuar, kundërshtia e madhe ndaj luftës, ekstremeve politike, si dhe ëndrra e njeriut për lumturi. "Unë jam i gëzuar që stafi i aktorëve që do të interpretojnë në këtë dramë përbëhet nga emra të shkëlqyer të teatrit shqiptar, të të tre brezave, fakt që tregon se sot, në teatrin shqiptar, mund të shohim se si këta breza bashkëjetojnë dhe krijojnë vepra artistike, në mënyrë shumë organike. E realizova një gjë të tillë edhe te "Kopraci" dhe tani te "Hijet e Natës". Kam venë re që edhe tendenca e regjisorëve të tjerë ka qenë në këtë drejtim, pra sot Teatri Kombëtar u përket të tre brezave", ka theksuar regjisori Çuli. Pa dashur të zbulojë më shumë për konceptimin e tij regjisorial, Çuli ka theksuar se ka dëshirë të sjellë në sallën e teatrit edhe shumë nga ata që e kanë parë dikur këtë vepër, për t'u treguar një tjetër këndvështrim të veprës, "një vepër kronikë, e pa kushtëzuar nga politka dhe nga kornizat e diktaturës dhe, pavarësisht se vepër e realizmit socialist, sot tingëllon shumë aktuale". Konceptimi i tij për këtë vepër ka synuar drejt një drame autori dhe me përpjekje për të sjellë paralelizmin brenda familjes, që mbart vepra, ku gjenerojnë ekstreme të ndryshme politike gjatë luftës, ku po sipas mendimit të tij, "imazhi i kësaj familje është imazhi i familjes shqiptare para shumë vitesh e deri në ditët tona". "Eshtë një vepër që ka një tendencë politike, që nuk ka balancë politike, por që në thelbin e vet tregon se, ne, në përgjithësi, si në familjet tona ashtu edhe në jetën tonë sociale, fatkeqësisht, jemi individë të politizuar", ka përfunduar Çuli.

Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›