E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prefekti kritikon KESH dhe shqetësohet për të papunët

23/12/2004  

BERAT - Problemet e mëdha që ka Qarku i Beratit kanë bërë që prefekti Thanas Broka të kritikoj me tone të ashpra gjatë një takimi drejtuesit e institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve ekonomike dhe organeve të qeverisjes vendore. Broka ka bërë bilancin e punës të 11 muajve të këtij viti, ndërsa ka folur me tone të ashpra për mosarritjet dhe deficitet e krijuara nga këto drejtori dhe institucione shtetërore. Gjatë këtij takimi, Broka ka bërë të ditur problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët, ku primare mbetet papunësia, e cila është shqetësuese dhe që vazhdon të mbetet në të njëjtin nivel të lartë edhe gjatë këtij viti. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, prefekti Broka ka bërë të ditur arritjet dhe problemet që ka Qarku i Beratit.

Cilat janë problemet që ballafaqohet sot Qarku i Beratit dhe banorët e tij. Në ç’raport qëndrojnë këto probleme me ndihmën e shtetit?

Ajo që na shqetëson mbetet papunësia e qytetarëve, të cilët ende vazhdojnë të kenë burim financiar për të përballuar jetesën, emigrimin. Sipas shifrave, në Qarkun e Beratit ka 2620 subjekte private, 2318 prej të cilave janë të biznese të vegjël. Në të gjithë Qarkun numërohen 11373 punëkërkues, të papunë. Të ndarë sipas rretheve, Berati ka rreth 6 mijë të papunë, Kuçova rreth 2070 të papunë dhe Skrapari rreth 3 mijë të papunë punëkërkues. Ndihma që iu është dhënë shumë familjeve, që nuk kanë asnjë burim të ardhurash ka arritur në 9710 familje që marrin ndihmë ekonomike.

Sa kanë qenë investimet nga shteti për Qarkun e Beratit dhe ku janë përqëndruar këto fonde?

Investimet për Qarkun e Beratit gjatë këtij viti kanë qenë 981 milionë lekë, ku janë realizuar 70 për qind e investimeve ose 663 milionë lekë. Këto investime janë investuar në fushat problematike për Qarkun siç kanë qenë infrastruktura urbane dhe rurale, ujësjellës-kanalizime, arsim, shëndetësi dhe në rehabilitimin e sistemit të ujitje-kullim. Këto investime kanë qenë në masën 92 për qind nga buxheti i shtetit dhe 8 për qind nga të ardhurat.

Gjatë takimit tuaj me drejtues ndërmarrjesh e institucionesh shtetërore, ka patur kritika ndaj tyre. Mund të thoni se ku ka patur shkelje nga ana e tyre?

Puna me e dobët ka qenë në sektorin e filialit energjetik. Janë kritikuar për realizim jo në kohë të investimeve filialet e energjisë elektrike, të cilat kanë marrë masa për të mbledhur detyrimet nga qytetartë që kanë arritur 98 për qind dhe megjithatë energjia mungon për 4 orë në qytet dhe 7 orë në fshatra, ndërsa humbjet e energjisë kanë ardhur duke u rritur.

Problem tjetër është edhe mungesa e investimeve në kabina, trasformatorë dhe linja. Punë e dobët ka qenë edhe në degën e tatim-taksave, ku realizimi i të ardhurave gjatë këtij viti ka qenë i ulët, duke bërë që të krijohet një deficit prej mbi 74 milionë lekë. Deficit në nivelin e shifrave mbi 37 milionë lekë, ka arritur të krijojë edhe dega rajonale e sigurimeve shoqërore. Problem tjetër është furnuzimi me ujë i popullsisë, ku përsëriten defekte të shumta që ndotin ujin.

Në lidhje me ndërtimet e paligjshme, çfarë masash janë marrë nga ana juaj?

Gjatë 11 muajve janë evidentuar dhe janë gati për t’u prishur 300 ndërtime të paligjshme në qytetin e Beratit, Çorovodës dhe Kuçovës dhe në qytete të tjera të Qarkut, ndërsa aktualisht janë prishur 302 ndërtime, ndërsa aksioni do të vazhdojë.

Gjatë këtyre muajve kanë ndodhur përmbytje nga lumi Osum të shumë banesave dhe rrëmbim të tokave bujqësore. Çfarë masash janë marrë për këtë problem nga ana juaj?

Është një problem që shqetëson çdo vit Qarkun e Beratit, ndërsa është parë me prioritet zgjidhja për minimizimin e efekteve që shkaktojnë ngjarje të rënda për banorët e këtij Qarku. Nga Drejtoria e Ujërave është investuar për rikonstruksion të argjinaturës së lumit Osum në segmentin Velabisht–Starovë, në fshatin Veterik, Lumas, ndërsa është bërë rikonstruksioni i shkarkuesve katastrofik në rezervuarin e fshatrave Ullnjas e Therepel, në rrethin e Skraparit.

Rezarta Gjata

Qarku Berat

2620 subjekte

të regjistruara si private

2318 biznese

të regjistruar si të vegjël

9710 familje

marrin ndihmë ekonomike

981 milionë lekë

investime këtë vit

74 milionë lekë

deficiti i tatim-taksave

37 milionë lekë

deficiti i sigurimeve shoqërore

98 për qind

shlyerja e faturave elektrike

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›