Bashkia, "dhuratë" familjeve që marrin ndihmë ekonomike
Për herë të parë familjet në nevojë në qytetin e Kukësit do t‘i gëzohen një ndihme në të holla, që vjen si rezultat i një vendimi për t‘u dhënë atyre ndihmën e plotë ekonomike. Kryetari i Bashkisë së Kukësit ka bërë këtë propozim, si një dhuratë për të vobektit me rastin e Vitit të Ri. Kjo ndihmë "e plotë" u takon familjeve pa burime financiare dhe bëhet realitet pas kërkesës së bashkisë në qeveri, që ndihma ekonomike e muajit nëntor, e cila merret në dhjetor, të vijë e plotë, për shkak se festat e fundvitit kërkojnë më shumë shpenzime. Do të jetë një fond prej 9 milionë lekësh, që do të shpërndahet këto ditë për 1750 familjet përfituese, që përbëjnë mbi 40 për qind të të gjithë qytetit. Ky është rasti i parë që këto familje në total marrin ndihmën 100 për qind, në shumën e afro 9 mijë lekëve, ndryshe nga muajt e tjerë kur ndihmën ekonomike të plotë e kanë përfituar vetëm familjet pa asnjë të ardhur. Në muajt e tjerë kjo ndihmë jepet mesatarisht në masën 4500 lekë. Gjatë festave të fundvitit, bashkia e qytetit ka parashikuar që të ndihmojë edhe të tjera familje në nevojë dhe kategori sociale që kanë probleme ekonomike.