E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës hidhen në grevë për shpërblimin e fundvitit

Minatorët në minierën e Bulqizës kanë ndërprerë punën në shenjë proteste për mospagimin e pagës së 13 që duhet të marrin në çdo fundviti. Mëngjesin e ditës së djeshme, 301 minatorë të turnit të parë nuk kanë pranuar të hyjnë në galeritë e thella të nëntokës, të pusit nr. 2 të kësaj miniere. Shkak për nisjen e protestës së minatorëve është bërë njoftimi i emetuar nga administrata e ndërmarrjes së minierës, për mospagimin e pagës së 13, që tradicionalisht, sipas kontratës së nënshkruar mes sindikatës dhe firmës së huaj koncesionare ruso-austriake "Albanian Chrome ACR", është dhënë në çdo fund viti për minatorët. Po sipas këtij njoftimi, mësohet se ajo që e ka detyruar firmën koncesionare të mos paguajë minatorët në këtë fundviti, është mosevadimi i mineralit të kromit, i cili për mungesë tregu shitje ka mbetur stok. Pra, duket qartazi se kriza ekonomike botërore ka "mbërritur" edhe në vendin tonë dhe më së pari ka kapur industrinë minerare nxjerrëse, ku spikat miniera e Bulqizës, më e madhja në vendin tonë dhe më gjerë. Gjatë këtyre ditëve, mjaft firma private në pellgun krommbajtës Bulqizë-Batër Martanesh, kanë ndërprerë punën në galeritë e nxjerrjes së kromit, për mungesë të tregjeve të shitjes së tij dhe uljes drastike të çmimit në rreth 70-80 dollarë për ton, nga rreth 500 dollarë që ishte gjatë vitit të kaluar. Por, veç këtyre firmave të vogla private, ku punojnë dhjetëra minatorë, duket se probleme financiare janë krijuar edhe për firmën koncesionare ruso-austriake, ku punojnë 660 minatorë. Sipas minatorëve, administratorët e huaj të firmës, të pyetur prej tyre për mospagimin e pagës së 13-të, kanë bërë të paditurin, kur kanë thënë se nuk dimë të kemi firmosur në kontratën e lidhur me sindikatën për këtë pagë. Ndërkohë, drejtori i minierës, Petrit Duva, i kontaktuar me telefon, ka konfirmuar se ndodhet në Tiranë dhe nuk ka pranuar të prononcohet për nisjen e protestës nga minatorët. Çuditërisht, të njëjtën linjë ka mbajtur edhe kryetari aktual i sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha. Minatorët sindikalistë prej kohësh kanë hedhur dyshime për kreun sindikalist, se ka tradhtuar interesat e minatorëve, duke u bërë palë me drejtuesit e minierës. Baki Bajraktari, anëtar i këshillit sindikal të minierës, thotë se minatorët janë të vendosur të mos fillojnë punë, deri në marrjen e pagës së 13-të, konform kontratës së nënshkruar me firmën e huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›