Verifikimi i titujve të pronësisë, vetëm propagandë
I ashtuquajturi ligj i antimafies së tokës ka mbetur pa u zbatuar. Deklarimi kryeministror për rëndësinë e verifikimit të titujve të pronësisë në vend, ashtu si edhe vetë procesi, mbahet peng nga Ministria e Financave, e cila deri më sot nuk ka bërë akordimin e fondeve për komisionet verifikuese. Në Prefekturën e Qarkut të Durrësit, komisioni nuk ka nisur ende nga puna, për shkak të mungesës së fondit të pagave. Kanë kaluar muaj dhe puna për verifikimin e tapive të dhëna në bazë të ligjit 7501 është e pafilluar. Pa para nuk ka komisione dhe as verifikime për një proces të shumëpërfolur, që përpos të tjerash pritet të krijojë një problem të ri social që do të rëndojë jo mbi abuzuesit realë, por mbi të ashtuquajturit përfitues të parë, kryesisht fshatarë dhe ish-punonjës të Ndërmarrjeve Bujqësore. Ata janë shfrytëzuar në përfitimin e tokave në bazë të ligjit 7501 nga njerëz të cilët kishin në dorë pushtetin dhe ndarjen e tokave. E ndërsa emrat përfitues mbeten ata të fshatarëve, ata që i kanë marrë vërtet tokat falas, ose thuajse me një çmim simbolik prej tyre, dalin të palagur, për aq kohë sa emrat e tyre nuk figurojnë ligjërisht gjëkundi. I pyetur për rezultatet e punës së komisionit gjatë dy muajve të fundit, prefekti i Qarkut të Durrësit, Klodian Pajuni, tha për "Shqip" se personat e caktuar si anëtarë të komisionit që nuk funksionon akoma janë në procesin e mbledhjes së ankesave dhe shqyrtimit të tyre në grup, ndërsa pritet akordimi i fondit dhe nisja e plotë e punës për verifikim. Janë afro 50 ankesa të bëra deri dje, ndërkohë që sipas Pajunit, me funksionimin e plotë të komisionit numri i tyre do të rritet ndjeshëm: "Një pjesë të ankuesve i kam pritur edhe vetë në zyrë". Në fillim të muajit tetor, gjatë një takimi me prefektët e të gjitha qarqeve të vendit, Kryeministri Berisha i veshi prefektët me pushtetin e monitorimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm, për atë që rëndom quhet reforma në pronësi, mbi bazën e ligjit të ri për titujt e pronësisë të miratuar në muajin korrik. Ai kërkoi paanshmërinë e tyre, duke parashikuar se ata do të përballeshin me presione të ndryshme për çështje kaq delikate. Pas vendimit qeveritar për mosabrogimin e ligjit 7501, me gjithë kërkesën e vazhdueshme të republikanëve, më 1 tetor hyri në fuqi ligji për verifikimin e tapive të shpërndara, që synon evidentimin e tokave të shitura në mënyrë abuzive, kundrejt ryshfeteve, apo edhe të zaptuara nga zyrtarë lokalë e qendrorë. Pas konstatimit pritet që këto toka të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës për t‘iu kthyer pronarëve. Kryeministri pati drejtuar gishtin e akuzës si grabitës të tokës mbi pushtetarët e çdo ngjyrimi politik, vendorë a qendrorë, kryetarë bashkish e komunash që do të përballen me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë së fituar padrejtësisht. Sipas tij, me afera korruptive, në kundërshtim me ligjin 7501, drejtuesit lokalë kanë ndarë dhe u kanë dhënë të tjerëve sasi të mëdha toke pa bazë ligjore, duke lënë me gisht në gojë pronarët. Por, në realitet, verifikimi i këtyre abuzimeve nuk është kaq i lehtë, pasi shumica kanë menduar se në një kohë të caktuar shteti do të kujtohej dhe do të ndërhynte, kështu që kanë mundur të shmangin penalizimin e tyre. Sipas prefektit Pajuni, në Durrës ankesat përqendrohen deri tani në fashën turistike, veçanërisht në zonën e Kallmit, ndërkohë që ankesa ka dhe për ndarjen e tokës në zonat ku kanë funksionuar ndërmarrjet bujqësore, si Spitallë e Sukth. Pajuni e konsideron procesin e verifikimit të titujve të pronësisë një proces tepër të vështirë. Pavarësisht nga përfituesi abuziv, ai që do të penalizohet duket se do të jetë fermeri, fshatari, ndërsa abuzuesit realë dalin jashtë loje. Ndërkaq, vendimet e komisioneve do të kalojnë nëpër gjykata dhe procesi duket se do të zgjasë më shumë sesa parashikohet, gjë që do të ndikojë edhe në kohën që do të përdoret për kompensimin e pronarëve, në pritje të këtij procesi prej vitesh. Përtej deklarimeve pompoze kryeministrore për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm, situata premton një proces të vështirë dhe të zgjatur në kohë. Ndërkaq, çështja e pronës në vend vazhdon të konsiderohet nga faktori ndërkombëtar si një çështje kritike që kërkon zgjidhje, pasi shkel të drejtën e njeriut për pronën.