Projektligji për "spiunët", të hënën kalon në Kuvend
Parlamenti i Shqipërisë pritet të miratojë ditën e hënë të javës së ardhshme ligjin e pastërtisë së figurave. Konferenca e kryetarëve vendosi në mbledhjen e fundit të fuste në rendin e ditës këtë projektligj. Diçka e tillë mësohet të jetë kontestuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste që kanë kërkuar të shtyhet një akt i tillë. Pavarësisht kontestimeve, mazhoranca ka shprehur vendosmërinë për t‘i shkuar deri në fund këtij aksioni politik, qoftë edhe në mënyrë të njëanshme. "Ky ligj pati kontestimin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste vetëm të tyre, me pretendimin se ishte një ligj që po vjen shpejt në seancë", tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Teksa shtoi se kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi ai është një nga ligjet më të arkivuara në këtë legjislaturë, është një ligj që është gjendur tre vjet në sirtarët e Komisionit të Ligjeve. "Ky ligj pret trajtimin e tij dhe mbylljen e këtij procesi që nga korriku i këtij viti. Pra janë shumë muaj që Komisioni i Ligjeve e ka pasur në shqyrtim dhe ka ardhur dita që të hënën ky ligj të miratohet", u shpreh Patozi. Denoncimet e opozitës për qëllimet e nismës, drejtuesi demokrat i cilësoi si pretendime sa absurde aq edhe keqpërdorime politike, pasi ligji i pastërtisë së figurave prek shumë nivele të administratës. "Ky ligj fillon me Presidentin e Republikës që është maja e shtetit dhe përfundon me nivele të ulëta të administratës si drejtorët e shkollave të mesme", sqaroi ai. Nëse diku ka pretendime për prokurorë apo hetues, gjykatës, policë apo drejtorë drejtorish, vijoi Patozi, mua më duket shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që do të ketë ky ligj. Konkretisht, neni më i debatueshëm i kësaj nisme ishte ai me numër 3 dhe që kishte të bënte me kategoritë të cilat do të preken nga ligji i verifikimit. Në versionin final, subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar aktualisht që ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zv/ministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura. Në sitë do të jenë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të së gjitha niveleve; funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, KLD-së, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, dhe një sërë kategorish të tjera. Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944-8 dhjetor 1990, të një prej detyrave të mëposhtme: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i KQ të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ai ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike; kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm; zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit.