E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në errësirë, nga era e fortë

Mjafton një erë e fortë dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës do të kenë për orë të tëra mungesa të energjisë elektrike. Pas shirave të fortë të ditëve më parë, që shkaktuan defekte në shumë pika të shtyllave të tensionit të ulët dhe të mesëm, tashmë i erdhi radha edhe erës. Ky fenomen natyror, i zakonshëm për këtë stinë dimri, është bërë shkaktar që shumë lagje kryeqytetase dhe thuajse e gjithë periferia e Tiranës të mos ketë mundësi të përdorë energjinë elektrike.

"Erërat e forta kanë dëmtuar disa linja ajrore, që furnizojnë me energji elektrike disa zona të kryeqytetit". Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka sqaruar dje të gjithë të interesuarit për arsyen se përse energjia elektrike ka munguar në një numër të madh lagjesh kryeqytetase. Por, veçanërisht e goditur nga "era e fortë" kanë qenë zonat e periferisë. Shumë prej linjave ajrore të furnizimit me energji të këtyre zonave kanë pësuar defekte.

Kështu, përfaqësuesit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë njoftuar se dëmtime kanë pësuar linjat në periferi të Tiranës, si në Shkozë, Qytetin Studenti, Kinostudio, Fushën e Aviacionit, si dhe në fshatin Ibe. Në këto zona, sipas përfaqësuesve të OSSH-së, energjia elektrike është ndërprerë. Ndërkohë që konfirmojnë faktin se disa grupe me elektricistë po punojnë për riparimin e këtyre defekteve në linjat e transmetimit të energjisë.

Ndërkohë që defekte të tilla kanë filluar të përsëriten shpesh në kryeqytet, kjo edhe për faktin se shtrirja e linjave ajrore dhe "kacafytja" e telave të përcjelljes së energjisë janë më shumë se sa të rrëmujshëm. Kjo gjë bën që edhe erërat më pak të lehta se ajo e djeshmja mund të shkaktojnë dëme dhe defekte në rrjetin e shpërndarjes. Mjafton të ngresh vështrimin lart dhe të kuptosh rrëmujën e jashtëzakonshme të telave, që formojnë shpesh rrjeta të trazuara, ku vështirë se mund të gjendet filli.

Nga ana tjetër, vetë moti duket se nuk ofron ditë më të mira në vijim. Sipas shërbimit meteorologjik, do të kemi sërish ulje të temperaturave në vend. Ditët në vijim, përveçse do të jenë të ftohta, parashikohet se do të shoqërohen edhe me reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. E natyrisht në këtë stinë nuk do të mungojë as dëbora, që sipas sinoptikanëve gjatë këtyre ditëve do të mbulojë zonat e larta. Sipas shërbimit meteorologjik të Forcave të Armatosura, në kushte të tilla klimaterike do të mbyllet fundjava. Ndërsa shtojnë se pa ndonjë përmirësim të dukshëm do të vijë edhe java e re.

Meteorologët komentojnë se luhatjet e shpeshta të temperaturave, fenomen ky që ka nisur të shfaqet shpesh së fundmi, nuk përbëjnë normalitet. Brenda një 24-orëshi kemi përjetuar ulje, por edhe ngritje të vlerave të temperaturave me 4, 5, 6 deri dhe 7 gradë Celsius gjatë kësaj vjeshte dhe fillim dimri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›