E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, më të varfër se para 100 vitesh

Shqiptarët janë sot kundrejt evropianëve edhe më të varfër se sa ishin në vitin 1910.

Në vitin 1910, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin sa 25 për qind e BE-së, edhe pse ky organizëm nuk ishte krijuar akoma.

Në 2007-ën, shifra është 24 për qind, duke dëshmuar se ëndrra evropiane e mirëqenies është shumë e largët sesa 98 vjet më parë.

Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit Evropian të Statistikës tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të jenë populli më i varfër në Evropë.

Sipas "Top Channel", në një raport të fundit të publikuar vetëm një ditë më parë, Eurostat ka llogaritur treguesit e mirëqenies, veç 27 vendeve të Bashkimit Evropian edhe të disa vendeve të Ballkanit.

Sipas Institutit Evropian të Statistikës, një shqiptar ka mesatarisht të ardhura në vit 4 herë më pak se një qytetar i Bashkimit Evropian. Por jo vetëm. Edhe fqinjët tanë, me të cilët krahasohemi, kanë të gjithë një mirëqenie më të lartë se Shqipëria.

Vendi i dytë më i varfër pas Shqipërisë është Bosnja, ku të ardhurat për frymë janë sa 29 për qind e mesatares së BE-së.

Maqedonia renditet e treta me 30 për qind, ndërsa Mali i Zi me 40 për qind.

Por ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me faktin se pavarësisht se Shqipëria ka ndër rritjet më të larta ekonomike në rajon, të ardhurat për frymë në vend kundrejt mesatares së Bashkimit Evropian po rriten shumë ngadalë, madje tri herë më pak se ato të disa fqinjëve tanë.

Në vitin 2005, treguesi i të ardhurave për frymë në Shqipëri ishte 22 për qind. Më 2006-ën arriti 23 për qind dhe më 2007-ën, 24 për qind. Me këto ritme qytetarët shqiptarë do të jenë njëlloj të pasur me ata të BE-së pas plot 75 viteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›