E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia dorëzon në Prokurori pesë padi për Berishën dhe funksionarë të tjerë

Paditë, pas akuzave dhe incidenteve të ndodhura ditët e fundit mes Bashkisë dhe qeverisë

Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës dorëzon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës pesë kallëzime penale për disa nga drejtuesit e qeverisë, përfshi këtu kryeministrin Berisha. Objekti i kallëzimeve është prishja e imazhit të Bashkisë nga sulmet e vazhdueshme të Ekzekutivit dhe strukturave në varësi të tij. Drejtoresha Juridike në Bashkinë e Tiranës, Migena Vishko, ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Tiranës paditë penale për funksionarët e lartë të shtetit, duke paraqitur objektin e akuzës dhe ka kërkuar dëmshpërblim në favor të komunitetit. “Sot po dorëzojmë katër kallëzime për fillimin e çështjeve penale ndaj kryeministrit të Republikës, Sali Berisha, funksionarëve të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi; drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj; zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike në Qarkun Tiranë, Gjergji Jorgo; kryeinspektorit të Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli; si dhe dy padi civile ndaj kryeministrit dhe Partisë Demokratike. Bashkia e Tiranës është duke përgatitur në vazhdimësi padi të tjera kundrejt të gjithë atyre që kanë shpërdoruar detyrën apo konsumuar veprën penale të shpifjes”,- thuhet në deklaratën e Bashkisë.
Paditë
Bashkia e Tiranës ka bërë cilësimet përkatëse për kallëzimet e depozituara ndaj çdo personi të paditur, duke nisur nga kryeministri Berisha. Sipas Bashkisë, paditet kryeministri Berisha për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj në lidhje me akuzat për shitjen e tokës te “Tajvani”, si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit “në kundërshtim me ligjin”. Padia tjetër është depozituar ndaj funksionarit të PD-së, Aldo Bumçi, për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë dhe kryetarit Rama në lidhje me shitjen e tokës te “Tajvani”, si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit “në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga Neni 240 i Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, Bashkia e Tiranës ka depozituar padi penale ndaj kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli, për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me vendimin për prishjen e objektit 12- katësh. Po kështu, ndaj drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj dhe zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Gjergji Jorgo, për kryerjen e veprës penale të ushtrimit të dhunës dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me tubimin e datës 5 dhjetor 2009, parashikuar nga Neni 90 dhe 248 i Kodit Penal.
Bashkia
Përveç depozitimit të padive penale për 5 persona, Bashkia ka depozituar gjatë ditës së djeshme edhe dy padi civile pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe Partinë Demokratike. Paditë civile janë bërë në lidhje me akuzat që janë bërë për shitjen e tokës te “Tajvani”, si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas Berishës dhe PD-së, kryetari i Bashkisë ka abuzuar me dhënien e lejeve të ndërtimit, si dhe për shitjen e tokës te “Tajvani” me një kosto të ulët dhe pa të drejtë. Për këtë, drejtuesit e Bashkisë kanë kërkuar dëmshpërblim për blerjen dhe mbjelljen 1250 pemëve të llojit bli, gështenjë e egër dhe rrap. “Në lidhje me baltën publike që politika qeveritare po hedh mbi Bashkinë e Tiranës. Ne, paralelisht me shpjegimet publike, po ndjekim dhe rrugën ligjore për dënimin penal të personave përgjegjës, si dhe dëmshpërblimin e Bashkisë për imazhin e dëmtuar, duke siguruar fonde që baltën e politikës ta kthejmë në shërbime për komunitetin”, - shprehet drejtoresha Juridike e Bashkisë së Tiranës, Migena Vishko.
Pak ditë më parë, Bashkia bëri padi civile ndaj këtyre subjekteve për shkak të akuzave publike që janë bërë në media.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›