E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcaktohen gjyqtarët që do të gjykojnë padinë e “Edil Al” ndaj kryeministrit Berisha



Përcaktohet kolegji civil që do të gjykojë padinë civile që u depozitua pak ditë më parë nga kompania “Edil Al” ndaj kryeministrit Sali Berisha. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë pohuan dje për gazetën “Albania” se hedhja e shortit caktoi si trup gjykues Mirela Fanën, relatore të çështjes, Aleksandër Muskajn, Irma Balën, Guxim Zenelajn dhe Evjeni Sinoimerin.
“Prej disa muajsh, zoti Sali Berisha ka nisur një fushatë shpifjesh e trillimesh, përbaltje dhe akuzash të rreme ndaj ‘Edil Al’, duke dëmtuar rëndë interesat tona dhe duke krijuar në ambient bindjen se nëse nuk vihemi nën tutelën e klanit të tij qeverisës, do të shkatërrojë biznesin tonë. Përballë kësaj gjendjeje anormale, ne kemi përgatitur një padi civile ndaj kryeministrit Sali Berisha, pasi imuniteti që posedon ky qeveritar frenon Gjykatën dhe Prokurorinë të nisë çështje penale për këto shpifje dhe mashtrime monstruoze. Është i njëjti imunitet për të cilin me demagogji qeveria shqiptare thërret se nuk do ta përdorë në asnjë rast. Në një vend normal, këto akuza të rreme do të binin menjëherë, duke bërë që të frenohej kryeministri, që me lehtësi shpif për mijëra metra katrorë dhe hapësira publike të shfrytëzuara gjoja prej nesh. Kompania ‘Edil Al’ deklaron se gjatë viteve 2006-2009 ka vetëm 21 mijë metra katrorë leje ndërtimi, të gjitha të aprovuara prej shumicës së djathtë në Këshillin Bashkiak. ‘Edi Al’ nuk ka shfrytëzuar asnjë metër truall publik; kjo një tjetër shpifje e kryeministrit. Kompania jonë, që nga themelimi deri sot, në të gjitha kontrollet e ushtruara nga Tatim-Taksat dhe institucionet e tjera fiskale, rezulton se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj ligjit, përfshi dhe vitin 2008. Pra i gjithë ky presion dhe çdo përpjekje e mëtejshme në dëm të kompanisë, është presion i pastër politik. Ky presion ka nisur dhe po përshkallëzohet prej mëse 2 vjetësh, fakt për këtë është se megjithëse janë plotësuar të gjitha procedurat e legalizimit, dosjet e kompanisë ngelen të bllokuara me urdhër nga lart në hipotekë. Për sa më sipër disponojmë të gjitha faktet, provat dhe dëshmitë, të cilave kryeministri u fshihet prej imunitetit, materiale që do të depozitohen në Gjykatë”.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›