Rama, apel kryeprokurores për vërtetimin e akuzave të Berishës ndaj tij
Emanuela Sako
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është drejtuar dje kryeprokurores Ina Rama duke i kërkuar asaj të nisë hetimin e akuzave të bëra ndaj tij nga kryeministri Berisha. Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti i ka cilësuar akuzat si shpifje që bëhen për arsye politike dhe për të fshehur të vërtetën e kutive të votimit. Prandaj Rama ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe vërtetim të të gjitha shpifjeve dhe akuzave ndaj Bashkisë së Tiranës dhe ndaj tij, ku organet e Drejtësisë të nxjerrin të vërtetën dhe t’u jepet fund akuzave publike. Ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Berisha të provojë përpara gjykatës çdo deklaratë e shpifje në drejtim të tij. Rama tha se ka depozituar plot 20 padi civile dhe penale ndaj kreut të qeverisë, për ato që ai i quajti shpifje të denja për një sulm mesjetar. “Sot ka shkuar në dhjetë numri i padive civile dhe dhjetë numri i padive penale që vetëm unë, personalisht, kam hapur ndaj Sali Berishës qysh prej ditës së çmendisë së tij në foltoren e Parlamentit e deri tani. Opinioni publik shqiptar ka të drejtën të mësojë të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës, për gjithë sa ka dalë nga goja e njeriut që sot drejton Shqipërinë me vota të vjedhura. Ndërkohë i bëj thirrje prokurores së Përgjithshme të Republikës të hapë hetimin e të gjitha akuzave të kryeministrit të vendit ndaj meje dhe të kërkojë nga Sali Berisha prova e fakte lidhur me dhjetë paditë penale që kam depozituar deri sot në prokurori për këto akuza, pikërisht për të zbardhur, në çdo detaj, gjithçka është thënë gjatë këtij sulmi barbar”, - theksoi Rama.
Kutitë
Rama i është drejtuar kryeministrit, duke e vënë në dijeni se protestat për hapjen e kutive do të vazhdojnë në çdo rreth të Shqipërisë. Kështu, pas vendimit të socialistëve për të përshkallëzuar aksionin politik në kërkim të hapjeve të kutive të votimit, kreu i selisë rozë, Edi Rama, deklaroi se duke filluar nga java e ardhshme do të rifillojnë protestat shesh më shesh e rrugë më rrugë, deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve. “Ne do të shkojmë javën që vjen qytet më qytet. Sali Berishën e gënjen mendja se do të na zmbrapsë duke na gjuajtur me gurët e shpifjes. Por, në fakt, ai po na frymëzon për të çuar deri në fund aksionin politik, deri në largimin e tij nëse kutitë nuk do të hapen”,- theksoi Rama. Po kështu, ai ka hedhur akuza kundrejt Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, po përdoret politikisht. Rama deklaroi se policia është bërë vegël në duart e Berishës.
Sulmi
Pas protestës së bërë nga biznesi i vogël dhe pushteti vendor pak ditë më parë, Rama ritheksoi se Berisha po terrorizon biznesin e vogël e të madh për të mbushur arkën e shtetit. Kreu i opozitës paralajmëroi se vitin e ardhshëm protestat do të jenë masive, deri në rivendosjen e normalitetit demokratik. Kryesocialisti ka përshëndetur gjatë deklaratës së tij ndërkombëtarët dhe përpjekjet e tyre për dialog. Por, sipas Ramës, bojkoti nuk është shkaku i krizës së demokracisë dhe rënies së shtetit të së drejtës, por vetëm një pasojë e kësaj krize, që dita-ditës po cenon liritë dhe të drejtat e pacenueshme.
12 Dhjetor 2009