E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë pranon dy paditë civile kundër Fatmir Mediut



Laureta Rryçi

Gjykata e Lartë pranon dy paditë civile në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kolegji penal ka pranuar paraprakisht paditë e depozituara nga 11-vjeçari Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj, që të dy të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit.
Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë pohuan se gjatë ditës së djeshme u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj dhe Alketa Hazizaj. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga Arjana Fullani, relatore e çështjes, Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Po dje, në Gjykatën e Lartë, u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, po në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Alketa Hazizaj. Trupi gjykues përbëhet nga Andi Çeliku, relator i çështjes, Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako.

Padia e fëmijës
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dy ditë më parë është shtuar edhe padia e një 11-vjeçari. I mituri, R. Durdaj në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij, Rigon Durdaj. Djali kërkon nga Drejtësia që të ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 15 mars të vitit 2088. “Më datë 15.03.2008, rreth orës 12:00, në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT “Nënë Tereza”. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë”, shkruhet në padinë e 11-vjeçarit.
Padia e gruas
Sipas padisë që mban emrin e Alketa Hazizajt, thuhet se mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicie dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Indiciet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, janë renditur në padinë e plotë të Hazizajt, që u botua pak ditë më parë nga gazeta “Albania”.

Box

Kërkesat në padinë e 11-vjeçarit

ANA OBJEKTIVE
Nga ana objektive vepra është kryer me anën e veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, duke krijuar mundësinë e kryerjes së veprimtarisë tejet të rrezikshme të demontimit të municioneve luftarake të kalibrit të rëndë, pa respektuar rregullat teknike dhe, për pasojë, shpërthimin e fuqishëm, i cili shkaktoi plagosjen e rëndë të kërkuesit. Plagosja është evidentuar me anën e aktit të ekspertizës mjekoligjore nr. 305, dt. 02.04.2008, ku eksperti dr. Bledar Xhemali, me kërkesën e OPGJ Leonard Palushi bërë me vendimin dt. 18.03.2008, në bazë të kartelës klinike nr. 533391 të repartit të djegieve në SUQU, Tiranë, ka konstatuar dëmtime të rënda, për të cilat kërkuesi ka nevojë për më shumë se 9 ditë pushim.
3. SUBJEKTI
Përsa i përket subjektit, veprimi i kundërligjshëm është bërë nga shtetasi i sipërpërmendur, pasi ai ka nënshkruar aktet në fjalë dhe ka qenë përgjegjësi numër një për rrethanat e sigurisë së ulët në vendngjarje.
4. ANA SUBJEKTIVE
Nga ana subjektive vepra penale është kryer nga pakujdesia, në formë e neglizhencës, pasi shtetasi Fatmir Mediu nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës së dëmshme, por nuk e ka shmangur atë, ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë dhe madje detyrimin.

5. KONKLUZIONE.

Është mjaft e qartë që i akuzuari ka konsumuar veprën penale të plagosjes nga pakujdesia, të parashikuar nga Neni 91 i Kodit Penal, prandaj kërkojmë të vendosni për:
Deklarimin fajtor të të akuzuarit dhe dënimin e tij sipas ligjit;
I DËMTUAR AKUZUES
R. Durdaj (Përfaqësuar nga i ati, Rigon Durdaj)

Padia e gruas nga Gërdeci
I dëmtuari akuzues: Alketa Hazizaj, e bija e Servetit, lindur më 06.06.1978 në Gramsh dhe banues në Gërdec, Vorë
I akuzuar: Fatmir Mediu, i biri i Aliut dhe Naxhies, lindur më 21.01.1967 në Durrës e banues në Tiranë, me adresë: Rr. Elbasanit, Pallati i ri pranë lokalit “Lion Park”, me qendër pune: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Akuza penale: Deklarimi fajtor i të akuzuarit për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, të parashikuar nga Neni 91 i Kodit Penal.
SUBJEKTI
Përsa i përket subjektit, veprimi i kundërligjshëm është bërë nga shtetasi i sipërpërmendur, pasi ai ka nënshkruar aktet në fjalë dhe ka qenë përgjegjësi numër një për rrethanat e sigurisë së ulët në vendngjarje.
ANA SUBJEKTIVE
Nga ana subjektive vepra penale është kryer nga pakujdesia, në formë e neglizhencës, pasi shtetasi Fatmir Mediu nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës së dëmshme, por nuk e ka shmangur atë ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë dhe madje detyrimin.
KONLUZIONE
Është mjaft e qartë që i akuzuari ka konsumuar veprën penale të plagosjes nga pakujdesia, të parashikuar nga neni 91 i Kodit Penal prandaj kërkojmë të vendosni për:
Deklarimin fajtor të të akuzuarit dhe dënimin e tij sipas ligjit;
I DEMTUAR AKUZUES
Alketa Hazizaj

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›