Gjyqi; Dëshmon Kryekomunari: Vrasjet e Afrimit i mësova nga të tjerët
Dy persona kanë dëshmuar dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për procesin e zhvilluar ndaj Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Shënmri të Kukësit. Vetë i pandehuri mungonte në sallë dhe kishte njoftuar gjykatën se pranonte të përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës në gjykim. Dëshmitari i parë ishte një kryetar komune në Kukës, Bajram Çoti, i cili i pyetur rreth ngjarjes nga prokurori i çështjes, tha se vrasjen e dy policëve e kishte dëgjuar pak minuta pas ngjarjes në lokalin përballë. Por dëshmitari, i cili i njihte si viktimat dhe autorin e krimit, shtoi se kishte dëgjuar nga persona të tjerë se mes dy palëve kishte pasur një konflikt për kontrollin e një makine në fshat. Ndërkohë që dëshmitari tjetër, Durim Meta, baxhanak me Afrim Hasanin, i pyetur nga prokurori mbi dijeninë mbi ngjarjen dhe autorin e saj, mohoi të kishte dijeni për autorësinë e krimit të dyfishtë, duke iu referuar të dhënave të dëgjuara në fshat.