E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, miratohet pagesa me bono e 50% te vleres se objektit

Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme ndryshimet në projektligjin “për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Këto ndryshime parashikojnë zgjerimin e kategorive të qytetarëve që përfitojnë nga pagesa e faturës së legalizimeve nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit ose letrave me vlerë. Sipas këtij projektligji që pritet të kalojë për miratim në seancë parlamentare është e mundur që për sipërfaqet brenda apo jashtë vijave të verdha pjesa mbi 300 dhe 500 metra katrorë të paguhet deri në 50 për qind me letra me vlerë. “Projekti ka si synim që të saktësojë që me bono privatizimi deri në 50% të vlerës së legalizimit jashtë vijave të verdha për sipërfaqe të parashikuara në pikat përkatëse të nenit 19 mund të bëhet legalizimi deri në 50% me bono privatizimi. Gjithashtu ndryshimi ka prekur edhe nenin 20 për të saktësësuar sipërfaqet për të cilat legalizimi do të bëhet pjesërisht në lekë dhe pjesërisht, deri në 50% të saj, me bono privatizimi”, është shprehur gjatë mbledhje së komisionit, Isida Koka, specialiste e Ministrisë së Financave.
Projekti
Projektligji i qeverisë i jep të drejtën ccdo poseduesi të një ndërtimi informal që të mund të paguajë me bono privatizimi deri në masën 50 për qind të vlerës edhe nëse sipërfaqja e ndërtesës, mund të jetë nën 500 metra katrorë, jashtë vijës së verdhë dhe nën 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë. Në ligjin e miratuar pak kohë më parë në Kuvend thuhej se të drejtën për të paguar me bono privatizimi deri në masën 50 % të vlerës e kishin vetëm ata posedues, që zotëronin mbi 500 m2 parcelë ndërtimore jashtë vijës së verdhë dhe mbi 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë. Me shtesat e djeshme të ligjit themeltar për legalizimet, qeveria merr përsipër që poseduesit ndërtimeve informale të sigurojnë këtë përfitim edhe kur parcela e tyre ndërtimore është me pak se kufiri i mësipërm. Kështu për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha: për sipërfaqe deri në 100 m²; për sipërfaqe deri në 200 m²; për sipërfaqe deri në 300 m²; për sipërfaqe deri në 400 m²; poseduesit do të mund të paguajnë deri në 50% të vlerës së parashikuar me ligj me bono privatizimi. E njëjta situatë paraqitet edhe në rastet e parcelave ndërtimore brenda vijave të verdha. Sipas vendimit për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha: për sipërfaqe deri në 300 m², deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.
Bonot
Ky projekt do të hyjë në fuqi dhe do të nisë zbatimin menjëherë pasi të miratohet në seancë parlamentare. Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë bënë të ditur dje se ky projekt nuk sjell asnjë efekt në fondin për kompensimin financiar për ish pronarët tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Madje ky vendim i qeverisë i jep gjallëri tregut të këmbit të bonove të privatizimit vlera e të cilëve është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Nga 2% që ishe më parë, aktualisht bonot e privatizimit këmbehen me një vlerë prej 22-24%. Ky vendim gjithashtu i vjen në ndihmë të gjithë atyre qytetarëve që disponojnë letra me vlerë dhe që prej kohësh kanë qenë pothuajse të zhvlerësuara.

Presidenti Topi takon përfaqësues të fondacionit “Konrad Adenauer”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje në Presidencë, një takim me përfaqësuesin e fondacionit “Konrad Adenauer”, Vilibold Frener. Kreu i shtetit shqiptar, pasi i uroi mirëseardhjen, vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet tradicionale dypalëshe tashmë të konsoliduara mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke nënvizuar faktin që tashmë ka nevojë të zgjerohen e të thellohen edhe marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të dhënë nga shteti gjerman gjatë viteve të tranzicionit demokratik në vendin tonë dhe vlerësoi hapjen e një Fondacioni të themeluar qysh më 1956, që mban emrin e kancelarit të parë gjerman, edhe në Shqipëri, gjë që do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe në fusha të ndryshme si politika, kultura, shkenca, arsimi, etj. Nga ana e tij, përfaqësuesi zyrtar, Vilibold Frener pasi e falenderoi Presidentin Topi për pritjen, bëri një ekspoze të shkurtër të punës dhe aktivitetit të Fondacionit “Konrad Adenauer”. Zoti Frener vuri në dukje dhe parashtroi disa nga objektivat e aktivitetit të Fondacionit në Shqipëri që do të shtrihet në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-gjermane, në fushën e politikës dhe rritjes së kulturës demokratike, në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, në shkëmbimet kulturore, arsimore, etj. Gjithashtu përfaqësuesi zyrtar i Fondacionit “Konrad Adenauer” i shprehu Presidentit Topi mbështetjen e plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe theksoi faktin që hyrja e vendit tonë në gjirin e familjes së madhe evropiane nuk ka asnjë dyshim, por është thjesht çështje kohe.

Moratoriumi i skafeve mbetet në fuqi deri në vitin 2012

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi gjatë mbledhjes së djeshme zgjatjen e afatit të moratoriumit që ndalon qarkullimin e skafeve në ujrat shqiptare. Ky është një vendim politik i qeverisë Berisha i cili madje në mbledhjen e qeverisë u shpreh se sa të jetë në pushtet PD-ja do të mbetet në fuqi ky moratorium. Në mbledhjen e komisionit të Sigurisë deputetët e PD-së kanë debatuar duke kërkuar që të lejohet përdorimi i skafeve sportive. Në përfundim deputetët e PD-së vendosën që të lejohet përdorimi i skafeve sportive, ndërsa miratuan pjesën tjetër të projektit të propozuar nga qeveria. Kryeministrit Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë tha se lënia në fuqi edhe për tre vjet të tjerë të moratoriumit të skafeve është e nevojshme në kuadrin e masave të marra nga qeveria për rënien e nivelit të trafiqeve. Moratoriumi i skafeve u vendos si një masë nga qeveria e Partisë Demokratike menjëherë sapo ajo erdhi në pushtet në verën e vitit 2005, duke e konsideruar këtë si një projekt mjaft të dobishëm për të shënuar ulje të trafiqeve.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›