Gjykata Kushtetuese rrëzon Marrëveshjen e ujërave me Greqinë
Albert Gjoka
TIRANË - Gjykata Kushtetuese rrëzoi Marrëveshjen e qeverisë “Berisha” me Greqinë për vijën ndarjes kufitare detare. Burimet të rezervuara pranë kësaj gjykate bëjnë të ditur për gazetën se vendimi është dhënë pasditen e djeshme. Trupa e gjyqtarëve ka bërë konsultimet përfundimtare dhe është shprehur kundër ligjshmërisë së Marrëveshjes për të ashtuquajturin “Shelfi Kontinental” mes Shqipërisë dhe Greqisë. Procesi nisi pas kërkesës që depozitoi në Gjykatën Kushtetuese Partia Socialiste dhe disa parti të tjera opozitare që kërkuan kthimin për rinegocim të paktit mes dy vendeve, të firmosur nga krerët e diplomacive Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis në Tiranë. Tashmë ky vendim do të zbardhet gjatë ditëve në vijim. Ai bllokon procedurat e mëtejshme të ratifikimit të dokumentit në Kuvendin e Shqipërisë, pasi Marrëveshja priste vetëm kalimin për votim në seancë.
Vendimi
Pas rreth tre muajsh, Gjykata Kushtetuese përfundoi mbrëmë shqyrtimin e kërkesës së depozituar nga partitë opozitare për rinegocimin e Marrëveshjes për ndarjen e vijës kufitare detare me Shqipërinë. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë zhvilluar disa seanca ku kanë qenë e pranishme pala që ka dorëzuar padinë, e cila përfaqësohej nga deputetët socialistë, Sajmir Tahiri e Damjan Gjiknuri, si dhe nga koloneli në lirim Myslym Pashai. Ndërsa në anën tjetër janë thirrur për të dëshmuar edhe anëtarët e delegacionit që ka negociuar marrëveshjen, ku përfshihen përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Dje pasdite janë mbledhur nëntë anëtarët e trupit gjykues që kanë në dorë çështjen dhe kanë vendosur që të pranojnë kërkesën e Partisë Socialiste, duke kërkuar që ky pakt të rinegociohet. Një lajm i tillë është konfirmuar nga burime të gazetës pranë kësaj gjykate.
Padia
Më datë 20 tetor Partia Socialiste vendosi që të depozitojë një padi pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar prej saj që të shprehet nëse Marrëveshja për ndarjen e vijës kufitare detare me Greqinë është në mbështetje të ligjit themelor të shtetit. Një vendim i tillë është marrë pas debateve të shumta në media dhe opinionin publik prej ekspertëve, të cilët pretenduan se qeveria ka bërë hapa të nxituar në firmosjen e dokumentit. Po ashtu, në procesin për përcaktimin e vijës kufitare nuk ishin marrë ekspertë të fushës. Para hedhjes së këtij hapi, kryetari i PS-së, Edi Rama, mblodhi tryezën e partive të koalicionit, e cila doli me një vendim unanim për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për vlefshmërinë e saj. Deputetët Sajmir Tahiri, Damjan Gjiknuri dhe koloneli Myslym Pashai e depozituan padinë me objekt: Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Një padi e tillë iu dërgua kësaj gjykate bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konkretisht në nenin 131, germa b dhe neni 134, si dhe në Ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Në këtë padi opozita kërkoi shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në dhjetor, trupa prej 9 anëtarësh e Gjykatës Kushtetuese i kërkoi dokumente shtesë palës paditëse, si statusin dhe regjistrimin në Gjykatë të subjekteve.
Reagimet për Marrëveshjen
Përveç partive opozitare, ka pasur disa ekspertë që kanë dalë kundër miratimit të paktit “Berisha-Karamanlis”. Specialistë të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-ushtarakë kanë shprehur mendimet e tyre si një marrëveshje e negociuar me nxitim, pa u marrë mendimi i ekspertëve. Ndërkohë, kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, e kanë mbrojtur me fanatizëm paktin e firmosur prej tyre. Ndërsa presidenti Topi ka theksuar se do të presë me qetësi dhe do të respektojë vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese.
Tashmë, rrëzimi i kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese bllokon procedurat e mëtejshme të miratimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke hapur rrugën për rinegocimin e dokumentit mes dy vendeve.
Pak histori
Negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndarjen e vijës kufitare detare mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë nisur që në mesin e vitit 2006, por viti 2008 shënoi përshpejtimin e bisedimeve mes palëve. Më 19 mars i siglua nga ekspertët e dy ministrive të punëve të jashtme dokumenti për t’i hapur rrugën më pas firmosjes nga shefat e diplomacive të Tiranës dhe Athinës zyrtare.
Më datë 23 mars, gazeta “Albania” denoncoi për herë të parë këtë marrëveshje për shkak se kishte munguar transparenca në këtë proces. Pak ditë më vonë gazeta mori në intervistë ish-nënkryetarin e LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili kërkoi nga qeveria që të tregohej e hapur dhe transparente në lidhje me kushtet dhe termat e negocimit. Që prej datës 4 prill pakti mes Berishës dhe Karamanlisit u bë një çështje e nxehtë dhe e shumëdebatuar në media. Firma e këtij dokumenti u hodh më 27 prill 2009, pikërisht ditën kur Tiranën zyrtare e vizitoi kryeministri grek Kostas Karamanlis. Kjo marrëveshje ishte pjesë e disa pikave që ishin futur në axhendën e negocimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, kur kryeministri Berisha priste nga Athina zyrtare mbështetje për firmosjen e MSA-së. Që prej asaj periudhe ka vazhduar debati, i cili u finalizua me hapin që hodhi opozita, duke e çuar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar vlefshmërinë e saj ligjore.
27 Janar 2010