Fratini: Shqipëria, gati për heqjen e vizave këtë verë
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, ka dhënë siguri për heqjen e vizave për Shqipërinë gjatë kësaj vere. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryediplomati italian theksoi se tashmë janë realizuar kushtet që shqiptarët të lëvizin lirshëm në zonën “Shengen”. Më poshtë është intervista e plotë që zoti Fratini i dha gazetarit të “VOA”, Ilir Konomi.
Zoti Fratini, ndërsa vizat janë hequr për shumicën e vendeve të Ballkanit, përse Shqipëria mbeti prapa në këtë proces?
Shqipëria do të bashkohet me të tjerët shumë shpejt. Ata po bëjnë hapa mjaft të rëndësishëm përpara. Italia po e ndihmon Shqipërinë dhe ka qenë një nga mbështetëset e saj më të mira në këtë aspekt. Por, ekzistojnë disa kritere që duheshin përmbushur. Tani mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria t’u bashkohet të tjerëve. Mendoj se në fillim të kësaj vere, në bazë të pritshmërive të mia, Shqipëria do të jetë gati të hyjë në regjimin e udhëtimeve pa viza.
Shqipëria ka marrë Pyetësorin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Mirëpo duket se plotësimi i pjesës politike të Pyetësorit mund të jetë problematik në kushtet e problemeve mes dy partive kryesore dhe të bojkotit të Parlamentit nga opozita. Cili është mendimi juaj?
Unë shpresoj se të gjitha partitë politike në Shqipëri do ta kuptojnë se është në interesin e përbashkët të vendit që ai të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian, pra që t’i përgjigjet sa më shpejt Pyetësorit. Italia do ta inkurajojë dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo rast.
Por, sa problem janë këto vështirësi të tanishme politike për integrimin e vendit?
Jam i sigurt se kryeministri Berisha dhe opozita do të bien dakord se është në interesin kombëtar të Shqipërisë që ajo të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
27 Janar 2010