Braçe: Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” takson për herë të dytë biznesin e vogël, jo miratimit në Kuvend
Partia Socialiste ka kërkuar që ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” mos të miratohet ditën e enjte në Kuvend, pasi e konsideron abuziv dhe evaziv. Deputeti Erion Braçe, dje, në një komunikim me mediat, ka argumentuar se ky ligj nuk duhet të hyjë në fuqi, pasi e takson për herë të dytë biznesin e vogël dhe, nga ana tjetër, favorizon pastrimin e parave të pista në Shqipëri. Socialisti Braçe i ka kërkuar qeverisë të heqë dorë nga taksimi i shumëfishtë mbi biznesin e vogël dhe nga taksimi i parave të emigrantëve. Gjithashtu, Braçe i ka kërkuar qeverisë të heqë dorë nga mundësia e rrezikshme e krijuar për politikanët e korruptuar dhe mafien, që, sipas tij, ka për qëllim të pastrojë paratë e tyre të ndyra duke kriminalizuar shoqërinë shqiptare tej e mbanë. Ndër të tjera, deputeti Braçe deklaroi se një mori të dhënash zyrtare të qeverisë ditët e fundit dëshmojnë gjithnjë e më shumë se arka e shtetit është bosh. Sipas tij, qeveria po kërkon me ngut e dhunë burime të reja financiare për të mbushur sa të mundë arkën e shtetit, si rritja e taksave, taksimi i shumëfishtë, taksimi i të ardhurave të sakrificës të pataksuara më parë, legalizimi i parave të korrupsionit, parave të pista të trafiqeve kriminale - përkundër një takse 10% paguar Sali Berishës.
Biznesi i vogël
Deputeti Braçe deklaroi se ligji që mund të votohet në Kuvendi i krijon mundësi administratës së kësaj qeverie të taksojë biznesin e vogël, veçmas atë të fashës me xhiro 2-5 milionë lekë, sërish me 10%. Ndërkohë që, sipas tij, nëse paratë që i mbeten pas pagimit të taksave aktuale qeveria nuk i investon, por i mban si e ardhur personale. Sipas të dhënave që deklaron socialisti Braçe, biznesi i vogël i paguan qeverisë nga 2-5 milionë lekë xhiro taksë vendore, tatim mbi të ardhurat personale 10%, nga 5-8 milionë lekë xhiro taksë vendore, tatim mbi të ardhurat personale 10%, TVSH 20%. “Paqartësia e qëllimtë e ligjit lë mundësi për taksimin për herë të dytë, me 10% të tjera, të biznesit të vogël! Kjo, për ne është e papranueshme! I njëjti ligj, për herë të parë në 20 vite, vendos të taksojë paratë e emigranteve ose paratë e sakrificës”, - u shpreh Braçe, duke shtuar se “sipas këtij ligji, me miratimin e tij, e ardhur e tatueshme do të jetë të ardhurat monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave”.
Ligji
Me miratimin e këtij ligji, sipas deputetit Braçe, taksohen paratë e emigrantëve, duke hequr dorë nga lufta ndaj parave të pista, korrupsionit e trafiqeve dhe duke hapur një mundësi reale për to, për t’i legalizuar, larë e pastruar, përkundrejt taksës 10% paguar qeverisë. Pra, në këtë kuadër, sipas socialistit Braçe, ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” krijon mundësinë e taksimit me 10% të parave të emigrantëve shqiptarë, duke e penguar çdo emigrant të investojë për shkak të kësaj takse. “Mënyra si është shkruar ligji ka garanci të plota për pastrimin e parave në kohë krize dhe kërkesës të lartë për likuiditet, dhe asnjë garanci se këto para, pas taksimit legal, do të luftohen”, - u shpreh deputeti Braçe.
Dogjani: “Berisha u shiti shqiptarëve dështimet e Policisë, nuk paraqiti strategji konkrete”
Partia Socialiste i ka konsideruar si dështime ato suksese të Policisë së Shtetit, të cilat u përmendën dy ditë më parë nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Deputeti Asllan Dogjani deklaroi dje se me anë të shifrave të përmendura, numri i aksidenteve, i vjedhjeve, krimit, lëndëve narkotike dhe korrupsionit ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, dështimet kanë ardhur për shkak se nga radhët e policisë janë larguar kuadro të specializuar, të cilët janë zëvendësuar me militantë, ndërkohë që këta të fundit janë duke e kryer vetë korrupsionin. Deputeti Dogjani deklaroi se Policia ka dështuar në uljen e numrit të aksidenteve automobilistike. Këtë e tregon numri në rritje i aksidenteve, ku vetëm për vitin 2009 kemi 1316 aksidente, ose 220 më shumë se në vitin 2008, me 334 viktima, ose 64 më shumë se në vitin 2008.
“Berisha dje nuk bëri gjë tjetër vetëm se u shiti shqiptarëve dështimet e Policisë si sukses të qeverisë së tij dhe nuk paraqiti ndonjë strategji konkrete se si do t’i arrijë standardet që kërkohen jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga faktori ndërkombëtar”, - u shpreh Dogjani. Ai u shpreh se në raport-analizën e punës së Policisë për vitin 2009 nuk u përmendën fare sa është numri i automjeteve të vjedhura, i banesave, pikave të karburantit, biznesmenëve, xhepave, çantave, varëseve të qytetarëve apo vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasojë vdekjen, vjedhjet me armë, me dhunë, që janë shtuar dukshëm nëpër rrugët e Shqipërisë dhe kane kthyer pasigurinë në vend. Ndërkaq, deputeti Asllani bëri të ditur se goditjet ndaj trafikut të drogës kanë qenë të ulëta në raport me sasinë e drogave që lëvizin në vendin tonë. Sipas tij, dështimin e Policisë gjatë vitit 2009 e dëshmon edhe rasti i muajve të fundit në vitin e kaluar, ku për shkak të mungesës së drejtimit, mungesës së përgjegjësisë, paaftësisë së drejtueseve, korrupsionit, implikimit të punonjësve të Policisë u vranë 4 punonjës policie në Durrës, dy të tjerë në Kukës dhe deputeti i Fierit, Fatmir Xhindi.
Prishepov përfundon mandatin: “Vlerësoj zhvillimin e Shqipërisë gjatë këtyre viteve”
Kryeministri Berisha priti dje në takim ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Federatës Ruse në Tiranë, Aleksandër Prishepov, me rastin e përfundimit të mandatit të tij. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë periudhës 4-vjeçare të mandatit të ambasadorit Prishepov, si dhe progresin real që këto marrëdhënie kanë njohur, në veçanti përsa i përket zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik apo atij në fushën e arsimit, kulturës etj. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e ambasadorit Prishepov për forcimin dhe zgjerimin e lidhjeve të miqësisë ndërmjet të dy vendeve e popujve.
Ambasadori u shpreh shumë i lumtur që kishte shërbyer në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ku kishte gjetur kushte shumë të mira bashkëpunimi. Ambasadori Prishepov vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme dhe përparimin e pakrahasueshëm që ka arritur Shqipëria gjatë këtyre viteve. “Largohem me përshtypjet më të mira dhe do të vazhdoj të kontribuoj edhe në të ardhmen për forcimin e ndjenjave të miqësisë mes dy popujve dhe promovimin e Shqipërisë kudo që të ndodhem”, - përfundoi ambasadori Prishepov.
Në fund të takimit të dy personalitetet rikonfirmuan vendosmërinë e të dy vendeve për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet miqësore midis të dy popujve. Me këtë rast, kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadorit Prishepov, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë.
27 Janar 2010