Bashkia e Fierit mbulon me dhe fushën e plehrave
Rritja e temperaturave ka bërë që sektori i pastrimit në Bashkinë e Fierit të vihet në lëvizje. Këto ditë korriku, ky sektor po merret më tepër me sipërfaqen e madhe të mbetjeve urbane dhe inerte të qytetit të Fierit që njihet ndryshe fusha e plehrave. Në këtë fushë aktualisht po punohet për të mbuluar me dhe të gjitha mbetjet, që janë lehtësisht të djegshme. Sipas përgjegjësit të kësaj fushe, Lirim Hasanaj, deri në ditën e hënë është mbuluar me dhe 70 për qind e fushës. "Ne kemi mundur të hedhim tonelata dhe në këtë fushë, duke parë se mbetjet janë të shumta dhe shpeshherë janë problem jo vetëm për zonën ku janë vendosur, por për të gjithë qytetin. Në këtë stinë kryesisht në ditët e nxehta si këto që po kalojmë, rreziku i ndezjes së plehrave është i madh", tha Hasanaj. Vetëm një javë më parë, kjo fushë u rrezikua nga një valë zjarri. Një banor i kësaj zone, në hyrje të qytetit të Fierit, duke u munduar të digjte barërat e këqij në tokën e tij, rrezikoi edhe një pjesë të fushës.