Kthimi i emigrantëve, fluks maksimal në Portin e Durrësit
Rreth 15 mijë persona janë futur në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit gjatë fundjavës dhe ditës së hënë. Mbërritja e gjashtë trageteve nga porti italian i Barit dje në mëngjes ka shkaktuar radhë emigrantësh në sportelet e policisë kufitare të Portit të Durrësit. Megjithëse të gjitha sportelet janë në funksionim të plotë dhe po ashtu dhe ato të doganës, numri i madh i emigrantëve që kanë mbërritur me tragetet e agjencive të ndryshme lundruese të linjës Bari-Durrës krijoi kaos dhe pakënaqësi te një pjesë e udhëtarëve të lodhur edhe nga rruga e gjatë. Në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit thanë se të dielën dhe deri në orën 11:00 të ditës së hënë në Portin Detar të Durrësit janë përpunuar 16 tragete prej të cilëve kanë zbarkuar 9776 pasagjerë, kryesisht emigrantë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe janë futur në vend 2171 automjete. Ndërkaq mbrëmja e djeshme ka sjellë në Durrës edhe disa qindra pasagjerë të tjerë të imbarkuar në katamaranin "Sanguan". Fluksi ka arritur tashmë në pikun e tij dhe pritet që përpunimi të jetë me ritme të larta deri në fund të muajit korrik. Shtimi i numrit të trageteve që lëvizin në linjat detare që lidhin portet italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes me Durrësin ka bërë që të mos ketë probleme si vitet e tjera me pasagjerët dhe mbushjen e trageteve tej kapaciteteve të lejuara. Ndërkaq, në krahasim me një javë më parë numri i emigrantëve që kanë mbërritur në vend nga kjo pikë kufitare është rritur ndjeshëm dhe për të përballuar këtë fluks të gjithë doganierët dhe sportelet e kontrollit kufitar janë në shërbim për të mbyllur në kohë sa më të shpejtë procedurat për udhëtarët dhe automjetet dhe shmangur pakënaqësitë nga vonesat në përpunim.
Statistikat për datat 19 dhe 20 korrik
Hyrjet Udhëtarë Mjete
Shtetas shqiptarë 3244 756
Shtetas të huaj 6532 1415
Statistikat për datat 19 dhe 20 korrik
Hyrjet Udhëtarë Mjete
Shtetas shqiptarë 3244 756
Shtetas të huaj 6532 1415