Rusët e "Lukoil", plan në Shqipëri
Sektori hidrokarbur në vendin tonë, pavarësisht problemeve me ligjet, vazhdon të shikohet me interes nga investitorët e huaj. Pas kompanive gjermane, amerikane, turke, greke, kanadeze, tani i takon biznesit rus ta shtrijë aktivitetin edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për gjigandin rus, "Lukoil", i cili po planifikon të zgjerohet me hapjen e degëve të reja në Ballkan. Menaxheri i përgjithshëm i "Lukoil"-it për Maqedoninë, Andrej Kuku, deklaroi dje se kjo kompani shumë shpejt do ta shtrijë veprimtarinë e saj në Shqipëri dhe Kosovë, të vetmet vende në Ballkan në të cilat ende nuk është e pranishme. Kompania ruse, e pranishme në 40 vende të botës, duket se nuk është prekur aq thellë nga kriza ekonomike, përderisa po mendon të rrisë investimet. Në vendin tonë operojnë shumë shoqëri të huaja, megjithatë, cilësia e naftës vazhdon të mbetet jo shumë konkurrente.