Kërçuku: Do të kthehemi në Himarë
"Do të kthehemi në Himarë". Drejtuesi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës dhe grupi i fëmijëve valltarë dhe këngëtarë të kësaj qendre do të kërkojnë të kthehen për të dalë para bashkëmoshatarëve himarjotë dhe pushuesve atje me programin e tyre artistik. I kontaktuar nga "Shqip" për shfaqjen e anuluar të artistëve të vegjël durrsakë, drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, Naim Kërçuku, shprehet se do t‘i drejtohet me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Himarës për të organizuar aktivitetin që nuk mundi të bëhej realitet të premten e kaluar. Ndërsa kanë marrë lejen nga Policia e Vlorës për të organizuar aktivitetin në Himarë, nuk kanë marrë miratimin nga bashkia, që ka kërkuar një njoftim paraprak në harkun kohor të dy muajve, duke u nisur nga dita e aktivitetit. Kërçuku thotë se në Bashkinë e Himarës i është kërkuar programi, por nuk është ndërhyrë në të. Gjithsesi vlerësimi i tij duket se ka shmangur fëmijët nga koncerti, ndërkohë që drejtuesi i QKF-së Durrës shprehet se "do të kërkojmë sërish nëpërmjet një shkrese zyrtare që të organizojmë shfaqjen në Himarë". Kërkesa do të hartohet të mërkurën dhe pritet që brenda javës të mbërrijë në tryezën e drejtuesve të bashkisë së qytetit të vogël, që me reagimet jo fort shqiptare të kryetarit të saj është vënë në qendër të vëmendjes. Përgjigjja e kësaj bashkie do të vendosë fatin e shfaqjes së fëmijëve durrsakë në Himarë, të cilëve do t‘u pëlqente të mos e quanin të dështuar këtë aktivitet. Sipas Kërçukut, nëse aprovohet kërkesa e tyre, grupi artistik nga Durrësi do të mund ta jepte shfaqjen dhe brenda dhjetë ditëve të ardhshme, por nëse Bashkia e Himarës do të respektojë afatin e një njoftimi zyrtar deri në dy muaj para aktivitetit, atëherë do t‘u duhet të presin vjeshtën për të performuar në qytezën jugore.