Mashkullorë, zjarri, rrezikon depozitat e karburantit
Stina e verës ka sjellë edhe rastin e parë të zjarrit në Gjirokastër. Zjarri i parë ka rënë dje paradite në kodrat e fshatit Mashkullorë dhe ka vënë në alarm repartin e zjarrfikësve dhe forcat e policisë, pasi vetëm 300 metra larg vatrës ndodhen disa depozita karburanti të kompanisë ARMO. Falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve u bë lokalizimi i vatrës së zjarrit nga pjesa jugore, ku ndodhen depozitat e karburantit. Ende nuk dihet nëse ky zjarr është vënë qëllimisht apo ka rënë aksidentalisht, ndërkohë që nga Drejtoria e Policisë e Qarkut të Gjirokastrës kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, që mund të kishte pasur pasoja tepër të rënda. Brenda pak orësh situata është vënë tërësisht nën kontroll, ndërsa punonjësit e repartit zjarrfikës kanë punuar edhe pas mesditës për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit. Gjatë verës së shkuar, në Gjirokastër u regjistrua numri më i madh i vatrave të zjarrit në shkallë republike.