Protesta e shoqërive të transportit paralizon linjën Sarandë-Delvinë
Transporti i udhëtarëve në linjën Sarandë-Delvinë e anasjelltas është paralizuar dje në mëngjes për katër orë. Tubimi i shoferëve të tri shoqërive që ofrojnë në mënyrë të licencuar këtë lloj transporti ka shërbyer që në krah të tyre të vihet edhe sektori i qarkullimit rrugor në Komisariatin e Sarandës, duke mos lejuar shërbimin paralel të furgonëve. Drejtuesit e 22 autobusëve të shoqërive: "Joni Travel", "Trans De" dhe "Meta-Taka" në Sarandë, e kanë nisur ditën e hënë jo duke qenë në shërbim të atyre që kanë dashur të udhëtojnë drejt Sarandës apo Delvinës, por duke parkuar e duke mbyllur autobusët në anë të rrugës Metoq-Sarandë. Tubimi i tri shoqërive ka nisur dje nga ora 06:00 e mëngjesit dhe ka vazhduar deri në orën 10:00, duke sjellë paralizim të transportit me autobusë për katër orë. "Edhe një herë pas 35 ditësh nga greva e mëparshme, kemi protestuar pasi ndjehemi të pambrojtur nga shteti në veprimtarinë tonë të ligjëruar, ndërkohë që sfidohemi nga të palicencuarit", tha Bejo Kerma, pronar i njërit prej autobusëve të linjës. Përfaqësuesit e shoqërive të transportit tregojnë se ankesa e tyre e përsëritur, paraqitur në Bashkinë e Sarandës dhe në nënprefekturë, ka gjetur mbështetjen e këtyre niveleve të pushtetit. Teli Islami, një prej protestuesve, tha se përballja me të paligjshmit po i lodh më shumë se sa puna e përditshme me shumë korrektesë, që ka bërë të niset çdo 15 minuta një autobus nga stacioni i Sarandës dhe njëherësh edhe nga ai i Delvinës, pavarësisht nga numri i udhëtarëve. Ai tha se kanë të gjitha të drejtat për të kërkuar mbështetjen e shtetit në sigurimin e aktivitetit të tyre të ligjshëm, pasi ata si shoqëri i japin shtetit 5 milionë lekë në vit. Sadik Ahmeti tha se si Bashkia e Sarandës edhe nënprefektja Elsa Gjini i janë drejtuar zyrtarisht Komisariatit të Sarandës, duke kërkuar mbrojtjen e aktivitetit tonë të ligjshëm nga të paligjshmit, por kjo nuk ka ndodhur". Protestuesit kanë pretenduar dje se strukturat e ngarkuara në Komisariatin e Policisë në Sarandë kanë toleruar jashtë çdo kufiri të paligjshmit, duke u bërë herë-herë palë me ta. Humbja e besimit tek veprimi i këtyre strukturave ka bërë që shoferët e autobusëve të veprojnë vetë gjatë katër orëve të para të ditës së djeshme, duke ndalur disa nga furgonët e paligjshëm. Në disa raste u desh që shoferët e autobusëve të ndalonin furgonët me targa të verdha taksie, por të papajisur me dokumentacionin ligjor dhe i kanë detyruar ata që të zbresin udhëtarët në Metoq, pa i lejuar t‘i çojnë në stacionin e fundit, në Sarandë. Kërkesës së protestuesve i është përgjigjur edhe shefi i sektorit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Sarandës, Gjylani Shehu, i cili u dha të drejtë atyre dhe menjëherë ka nisur ndalimi i qarkullimit të furgonëve.