Shkrumbohet një shtëpi e braktisur në Levan të Fierit
Zjarri ka përpirë dje një shtëpi në fshatin Levan në Rrethin e Fierit. Fatmirësisht banesa nuk ka pasur asnjë person brenda, pasi pronarët e saj ndodhen prej disa muajsh në emigrim. Zjarri është sinjalizuar dje në mëngjes në orën 8:20 pranë stacionit zjarrfikës dhe menjëherë atje ka shkuar një automjet zjarrfikës si dhe forcat e shpëtimit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se zjarri ka përfshirë fillimisht një banesë njëkatëshe dhe më pas flakët janë përhapur drejt oborreve të banesave që ndodheshin pranë. Banorët e zonës kanë ndërhyrë të parët me mjete rrethanore dhe pas një orë, me ndërhyrjen e zjarrfikësve situata është vënë nën kontroll. Banesa e përfshirë nga zjarri i përkiste një familjeje që prej muajsh është shpërngulur për në Greqi. Sipas zjarrfikësve zjarri ka rënë në afërsi të derës kryesore të shtëpisë, por nuk dihet ende shkaku. Dëmet materiale të këtij zjarri janë të mëdha, pasi çdo gjë që ndodhej brenda saj është shkrumbuar. Në fshatin Levan pati edhe të dielën një rast zjarri në një shtypi të pabanuar.