E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Fierit, 100 milionë lekë deficit

12/11/2009  U ul taksa e ndikimit në infrastrukturë

FIER- Rreth 100 milionë lekë është deficiti i krijuar në buxhetin e Bashkisë Fier për këtë vit. Kjo ka ardhur për shkak të ndryshimit të ligjit për legalizimet, çka do të thotë se tashmë nuk do të jenë më në të njëjtat nivele të ardhurat vendore. Është pagesa e ndikimit mbi infrastrukturën dhe pagesa e parcelës ndërtimore ajo çka e ka tkurrur buxhetin, pasi tashmë këto nuk do të derdhen më në bashki. Cungimin e buxhetit e ka pranuar edhe nënkryetari i Bashkisë Fier Jani Fuli, i cili ka sqaruar se në një farë mënyre shpresat e investimeve vareshin më së shumti tek taksat që mblidheshin nga legalizimi i objekteve.

"Duke qenë se për këtë vit ishin planifikuar 1 mijë ndërtime për t’u legalizuar, gjë që do të thotë se një pjesë e mirë të realizimit të investimeve bazohej pikërisht në këto taksa. Por ndryshimi i ligjit për legalizimet na e ka hequr të drejtën e mbledhjes së kësaj takse. Janë 100 milionë lekë humbje që i bëhen buxhetit të Bashkisë pikërisht nga ky ndryshim skeme. Tashmë nga 1% e shumës që do të paguhej për legalizimin e objektit, për zërin ndikim në infrastrukturë kalon në 0.5%, ndërsa pagesa për parcelën ndërtimore që paguhej me lekë, të cilat i kalonin bashkisë, tashmë do të paguhet me letra me vlerë, pra që do të thotë që për bashkinë gjithçka mbetet zero në këtë drejtim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›