S‘pranon faturën, plagos me kosore punonjësin e ujësjellësit
Një 60-vjeçar nga një fshat i Komunës Levan të Fierit është vënë në prangat e policisë mbrëmjen e së hënës, pasi ka qëlluar me kosore faturistin e ujit të pijshëm. Faturisti i plagosur ka denoncuar sulmin e 60-vjeçarit, kur ka mbërritur në spitalin rajonal të Fierit, pasi ka marrë dy plagë të rënda në trup. Shkak mësohet të jenë bërë faturat fiktive që faturisti priste për familjen e 60-vjeçarit. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Fierit, bëhet e ditur se mbrëmjen e së hënës u arrestua shtetasi Hajri Elezi, i vitlindjes 1948, lindur në rrethin e Tepelenës dhe banues prej shumë vitesh në Levan. Sipas policisë, 60-vjeçari Hajri Elezi ka debatuar me faturistin e ujit të pijshëm për zonën e Levanit, shtetasin me iniciale Ll.M. Ky i fundit ka shkuar për të dorëzuar faturën e ujit të pijshëm pranë banesës së Elezit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se muajt e kaluar faturisti nuk është parë në fshat dhe faturat i kishte prerë që nga zyra për të gjitha familjet. Por kur ka shkuar të shpërndajë faturat e muajit tetor, faturisti është përballur me një reagim të banorëve. Hajri Elezi ka kundërshtuar faturën dhe ka kërkuar sqarime nga punonjësi i ujësjellësit, pasi ai prej kohësh nuk kishte ujë në shtëpi. Pas shkëmbimit të fjalëve, 60-vjeçari dhe faturisti janë përleshur dhe i zoti i shtëpisë ka përdorur një kosore, duke e plagosur rëndë tjetrin.