E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Kamzës shkel ligjin për invalidët

Në 14 vjet, ligji për invalidët nuk është zbatuar asnjëherë. Madje nuk është bërë ndonjë përpjekje që këta njerëz të integrohen në shoqëri dhe të mos ndihen të veçuar. Ka raste edhe kur trajtohen me indiferencë, apo arrogancë. Disa muaj më parë, "Fiks Fare" ndoqi rastin e disa invalidëve që rezultojnë banorë të Bashkisë së Kamzës. Të gjithë jemi në dijeni të urdhrave që nxjerrin njësitë bashkiake për mbledhjen e taksave vjetore. Nëse nuk i paguan këto taksa, nuk mund të përfitosh shërbimet nga njësitë vendore. Në këtë mënyrë trajtohen edhe invalidët. Ata kërkojnë me ngulm që të përjashtohen nga taksat, por askujt nuk i vjen keq në Bashkinë e Kamzës që këta njerëz nuk mund të marrin dot pagesën e përkrahjes sociale pa paguar më parë taksat. Në këtë bashki, invalidëve nuk u është dhënë certifikata, pasi nuk kishin paguar taksat vjetore, një vendim ky i këshillit bashkiak, por që mohohet nga juristi i bashkisë. "Fiks Fare" ka shoqëruar dy invalidë, të cilët mbetën pas hekurave të bashkisë, sepse kryetari Xhelal Meziu nuk i pret, por gati i shtyp me makinë kur del nga bashkia. Këta njerëz në bashki nuk futen dot, pasi nuk ka rampa, madje njëri në tentativë për të hyrë në ambientet e njësisë bashkiake rrëzohet mbrapsht me karrocë. "Nuk kam marrë as certifikatë dhe as përkrahjen sociale, sepse më kërkojnë mandatin e pagesës së taksave", tregon për "Fiks Fare", Geg Mema. Nga ana tjetër, juristi i kësaj bashkie, Atli Hoti, luan rolin e të paditurit, madje gënjen duke mohuar faktin se është dhënë një urdhër që ndalon lëshimin e certifikatave në rastet e mospagimit të taksave nga banorët e njësisë vendore. Pak metra më tutje, në dritaret e Bashkisë së Kamzës, qëndron i afishuar një njoftim që kujton banorët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga bashkia pa paguar taksat. Drejtori i politikave për invalidët në Ministrinë e Punës, Ndrek Ismaili, tregon se ekziston një ligj që rregullon të drejtat e invalidëve, i cili ka hyrë në fuqi që në 1995, por që nuk është zbatuar asnjëherë. Sipas këtij ligji, një ndërmarrje shtetërore apo private, në momentin që ka një numër punonjësish më të madh se 26, duhet të punësojë një invalid në 25 punonjës. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, subjekti i paguan shtetit tatime plus, sikur të kishte punësuar numrin e saktë të invalidëve. Gjithashtu, ligji parashikon formim profesional, strehim, arsimim për invalidët. Pushteti vendor mban përgjegjësi edhe për krijimin e ambienteve argëtuese për këta njerëz. Por në vendin tonë nuk ka as infrastrukturë për invalidët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›