E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, fshatarët "privatizojnë" rrugën që riparuan me fondet e tyre

Rreth 70 familje në fshatin Qafë-Dardhë të Librazhdit kanë riparuar rrugën e fshatit me kontributet e tyre. Në mungesë të ndërhyrjes së shtetit për të zhbllokuar rrugën prej afro 200 metrash, ata kanë mbledhur paratë dhe me krahun e tyre të punës dhe disa mjete të marra me qira kanë riparuar pjesët e shembura. Kjo, vetëm për të kaluar mjetet që furnizojnë zonën apo dhe ato të shërbimit shëndetësor. Ndërkohë, kanë gjetur edhe mënyrën për t‘u hakmarrë ndaj shtetit, që nuk e vuri ujin në zjarr për hallin e tyre. Të paktën 20 persona nga fshati Qafë-Dardhë, përfaqësues të rreth 70 familjeve, kanë ngritur një "postbllok" në një pjesë të rrugës rurale që kalon nga fshati i tyre drejt Sopotit. Sipas burimeve nga fshati, prej katër ditësh ata kanë vënë një tra prej druri, ku duhet të marrësh leje për të hyrë në fshat. Të gjitha mjetet private janë lejuar të kalojnë, ndërsa tabela e "kuqe" përdoret për makinat me targa shtetërore apo që kanë brenda përfaqësues të shtetit. E gjithë kjo ka vetëm një arsye. Mosndërhyrja e instancave shtetërore për të riparuar rrugën i ka shndërruar fshatarët në "pronarë" të asaj pjese, që e kanë riparuar me forcat e tyre. Afro dy muaj më parë, nga shirat e shumtë, shumë pjesë të rrugës rurale Mirakë-Polis-Sopot u shembën, duke bllokuar çdo lëvizje të mjeteve drejt qyteteve Elbasan e Librazhd. Në atë kohë, instancat shtetërore u përpoqën më tepër që të strehojnë në çadra ushtarake pjesën më të madhe të familjeve të këtij fshati, pasi shtëpitë e tyre u dëmtuan nga shembjet e dheut, ndërsa ndërhyrja në rrugë ishte e pjesshme dhe ajo u shemb dhe dy herë të tjera. Sipas kreut të komunës, Veli Terziu, komuna nuk ka asnjë mundësi financiare për mirëmbajtjen e rrugëve, sikurse edhe vetë Drejtoria e Mirëmbajtjes ka ndërhyrë shpesh, por shembjet kanë qenë më të shpeshta sesa mundësia e shtetit për të ndërhyrë. Jo vetëm instancat vendore, por edhe vetë komuniteti nuk ka lënë zyrë pa trokitur e peticion pa dërguar në qeveri, por rrugën nuk ua rregulloi askush. Më në fund, ata vendosën ta riparojnë rrugën me forcat e tyre, por në këtë rast, e shpallën veten "zotër" të saj dhe vendosën të mos lejojnë të kalojë aty asnjë nga ata që kanë për detyrë t‘i ndihmojnë dhe nuk e bënë këtë. Kësisoj Qafë-Dardha është bërë një fshat me "doganë", nga ku asnjë pushtetar nuk mund të kalojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›