E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbillen 113 pemë dekorative në katër rrugë

Nismës "Një qytetar-një pemë", të iniciuar nga Bashkia e Tiranës, i janë bashkuar dje edhe katër sipërmarrje kryeqytetase. Këtë herë ishin katër kompani private, të cilat, përmes mbjelljes së 113 pemëve, synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit në kryeqytet, por njëkohësisht edhe në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre. Në sajë të kësaj ndihme u mundësua mbjellja e 30 gështenjave në rrugën "Vaso Pasha", 21 blinjve në rrugën "Milto Tutulani", po 40 gështenjave në rrugën "Ndreko Rino" dhe 22 të tjera u mbollën në rrugën "Lidhja e Prizrenit".

Kryebashkiaku Rama, i pranishëm gjatë aksionit të mbjelljes së pemëve, tha se "politika e vjetër e politikanëve është politika e ndotjes së mjedisit, jo vetëm fizik, por edhe të mjedisit të komunikimit shoqëror, përmes lumenjve të baltës e të mllefit, sharjeve dhe shpifjeve dhe akuzave për tjetrin, ndërsa politika e re e qytetarëve është politika e pastrimit të rrugëve të komunikimit, pa iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef dhe njëkohësisht e rrugëve ku lëvizim përditë, duke mbjellë sa më shumë pemë dhe vazhdimisht". Sipas Ramës, njerëzit janë të lodhur nga ndotja në mjedisin fizik e në mjedisin e komunikimit dhe duan një ajër të pastër në të gjitha kuptimet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›