Bashkia e Kamzës shpërndan 467 dhurata për fëmijët e dalluar
Bashkia e Kamzës ka shpërndarë dje 467 dhurata për fëmijët e dalluar. Në një ceremoni festive me rastin e festave të fund vitit, Bashkia e Kamzës ka dhuruar një shumë simbolike prej 1 000 000 lekë, bashkangjitur me një kartolinë urimi për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, 467 nxënësve të dalluar dhe nxënësve që kanë fituar olimpiada në takimet e ndryshme kombëtare. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Kamzës ka përshëndetur dhe uruar nxënësit e 12 shkollave me rastin e festave të fund vitit, duke thënë se ju jeni krenaria jo vetëm e shkollës që përfaqësoni, por edhe i gjithë Kamzës. Kjo festë është zhvilluar në kuadrin e mbështetjes që kjo bashki u jep nxënësve të dalluar. “Është e rëndësishme që ne t’ju mbështesim sadopak si moralisht ashtu dhe financiarisht që ju fëmijët e qytetit të Kamzës të ecin në rrugën e dijes, kjo ka qenë arsyeja që ne organizuam këtë festë dhe kemi treguar një kujdes të veçantë për ju. Stafi pedagogjik i të gjitha shkollave ka mbështetur dhe bashkëpunuar me ju drejt rrugës së gjatë të arsimit dhe të dijes”,- u shpreh kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Bashkëpunimi, Ksera takohet me ministrin e Punës së Kosovës
Ministri jonë i Punës, Spiro Ksera është takuar dje me homologun e tij në Kosovë, Nenad Rashiç. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviç, po zhvillon një takim treditor në Shqipëri, në krye të një delegacioni në përbërje të të cilit marrin pjesë edhe dy ministra serbë në qeverinë e Kosovës, ministri i Punës, Nenad Rashiç dhe ministri për Kthimin dhe Komunitetet, Sasha Rasiç, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Liberale Serbe dhe kryetari i Bashkisë së Graçanicës, Bojan Stojanoviç. Gjatë takimit, i cili zgjati një orë, pjesëmarrësit biseduan rreth nevojës së bashkëpunimit jo vetëm mes dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, por mes të gjitha vendeve të rajonit në të mirë të harmonisë e bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të rajonit, zhvillimit sociale-ekonomik të tyre dhe integrimit të përbashkët në familjen evropiane.
24 Dhjetor 2009