E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të plagosur në sherrin mes të rinjve, prangoset njëri nga 3 autorët

TIRANË - Tre adoleshentë janë arrestuar ditën e djeshme nga policia pasi akuzohen se kanë vjedhur magazinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr.1 arrestuan ditën e djeshme A. K., 16 vjeç, lindur dhe banues në Shëngjergj; A. Q., 17 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Krujë dhe R. Ç., 16 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se dje, rreth orës 18:00, në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, në ambientet e konviktit të Gjuhëve të Huaja, kanë vjedhur disa pajisje kompjuteri në magazinën e konviktit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një monitor, një njësi qendrore, një skaner dhe një bateri kompjuteri. U kryen veprimet procedurale, materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.

Vendimi, 21.6 vite burg për trafikantët e drogës nga Argjentina

Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me 21.6 vite burg Egland Mukën dhe Eduart Smajlin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Gjykata vendosi dënimin më 10 vite e 6 muaj burg për Mukën dhe 11 vite për Smajlin. Dy të pandehurit u akuzuan nga ana e prokurorisë se ishin pritësit e drogës që vinte nga Argjentina. Gjatë operacioni “Hasta la Vista” u zbulua një pakon me kokainë. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, postën dhe Policinë gjermane arrestuan dy të pandehurit, të cilët ishin pritësit e një pakoje brenda së cilës gjendej 560 gramë kokainë. Në atë kohë dyshohej se lënda narkotike është nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën. Muka dhe Smajli ishin pranë postës për të tërhequr pakon, brenda të cilës ishte fshehur lënda narkotike prej 560 gramë e ndarë në katër pako. Burimet policore thanë se policia kishte siguruar informacione për pakon me drogë që ishte nisur nga Argjentina duke zbuluar dhe pritësit. Më datë 26 tetor 2008 të pandehurit Egland Muka dhe Eduart Smajli, të cilët me ndihmën e shtetasit Ermir Huqi, që punonte në Postën qendrore, morën pakon postare EMS që kishte më shumë se 500 gramë kokainë e ardhur nga Buenos Aires, Argjentinë, për shtetasin Vladimir Mema, rr. “Maliq Muka”, p.11, ap.6, Tiranë, Albania. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, adresa e shtetasit Vladimir nuk ekzistonte.

Kapet në Tiranë i shumëkërkuari nga Drejtësia amerikane

TIRANË – Falë bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, është prangosur një person i shumëkërkuar për trafikimin e mjeteve motorike në SHBA. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shtetasit Françesk Pashko Pashku, i njohur ndryshe me emrin Fran Malocaj, nga fshati Trush i Shkodrës. Sipas tyre, 32-vjeçari Pashku është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet amerikane të drejtësisë. Shtetasi i mësipërm, në vitet 1997-1998 ka qenë i përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jork drejt Xheksonvilit (Jacksonville), në Florida të SHBA, me qëllim rishitjen e tyre. Për këtë arsye është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane. Burimet policore shtojnë se Gjykata e Floridës në SHBA, ka lëshuar urdhër-arrestin për shtetasin Fran Malocajn, për kryerjen e veprës penale “trafikim mjetesh motorike”. Ky është operacioni i dytë policor mes dy vendeve brenda një kohe të shkurtër për kapjen e të shumëkërkuarve nga Drejtësia amerikane.

Rreh drejtorin e KESH-it, i hoqi gruan nga puna

ERSEKË – Rreh drejtorin e KESH-it në Ersekë pasi i heq nga puna bashkëshorten e tij. I dhunuari ka bërë denoncimin dhe menjëherë kanë nisur hetimet për këtë rast. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bënë veprimet hetimore procedurale “goditje për shkak të detyrës” dhe “fyerje për shkak të detyrës” për shtetasin A. Jaçe, 39 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Starje në rrethin e Ersekës. Sipas tyre, procesi nisi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi D. Muço, 39 vjeç, lindur dhe banues në Ersekë, me detyrë drejtor i filialit të Korporatës Energjetike Shqiptare në Ersekë. Burimet policore sqarojnë se konflikti mes Jaçes dhe Duros, nisi pas vendimit që mori drejtori për shkarkimin nga puna të bashkëshortes së autorit të dhunimit. E. Jaçe punonte si arkëtare në KESH. Zëdhënësi i Policisë thotë se materialet në ngarkim të A. Jaçes i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme, pasi ai akuzohet për ushtrim dhune për shkak të detyrës.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›