Bashkia shpall 10 personalitetet e vitit 2009
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës përzgjedh 10 personalitetet e vitit 2010.
Bashkia shpalli “10 Personalitetet e Vitit 2009”, të përzgjedhur sipas votimit nga vetë qytetarët e kryeqytetit. Ky eveniment u organizua për të tretin vit radhazi dhe tashmë ka hyrë në vazhdën e shumë të tjerave, që Bashkia e Tiranës organizon dhe synojnë të kthehen në traditë. Në këtë aktivitet promovohen 10 personalitetet me të rëndësishëm të vitit, qofshin këta të njohur apo jo, mjafton që me veprën e tyre t’i kenë ofruar komunitetit kryeqytetas, diçka të veçantë e sigurisht të rëndësishme.
Çmimet
Në mbrëmjen galá, të organizuar në ambientet e Bashkisë së Tiranës, janë shpallur dhe nderuar 10 personalitetet që janë votuar nga publiku kryeqytetas dhe përzgjedhur nga një juri e Bashkisë së Tiranës, bazuar në vlerat dhe shembullin që këta personalitete përçojnë. Kryebashkiaku Rama ka bërë të njohur dhe publikisht këta 10 personalitete. “Janë njerëz nga më të shquarit, deri tek më të panjohurit por që secili në një mënyrë apo tjetër përbën një shembull për komunitetin. Ne jemi shumë të privilegjuar që na jepet mundësia, që në një ceremoni shumë modeste si kjo, të mund të shpallim vlerësimin që është bërë, bazuar në propozimet që vijnë nga qytetarët apo nga organizata apo grupe të ndryshme dhe që trajtohen nga një juri e Bashkisë së Tiranës, duke marrë parasysh atë kriter të thjeshtë që thashë, jo famën por vlerën dhe shembullin”, - theksoi Rama. Personalitetet janë: Vangjeli Mele, Fatos Baxhaku, Drita Babameta, Hamit Boriçi, Tirana Bank, Profesor Aleko Minga, Ilir Kerni, Bledar Nallbani, Kujtim Likzelia, Jonida Ndreu.
Personalitetet në vite
Dhjetë personalitetet që u përzgjodhën vitin e kaluar, 2008-ën janë: Margarita Xhepa, Dritan Hoxha, Romela Begaj, Qendra “Emanuel”, Maks Velo, Anisa Haxhija, Banka Kombëtare Tregtare, Dr. prof. Gudar Beqiraj, Shtëpia botuese ”Dudaj”, Arbër Çepani. Ndërsa në vitin 2007 u përzgjodhën 10 emra të tjerë të vitit, që shënoi dhe eksperiencën e parë të kësaj tradite të Bashkisë së Tiranës. Ata ishin emra të njohur ose personalitete që kanë dhënë ndihmë vullnetare për njerëzit në nevojë. Për vitin 2007, në krye të listës së personave që kanë kontribuar për Tiranën u renditën personazhe, si: Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko.
Vangjeli Mele
Ish mësuese. Drejtore e shkollës pedagogjike për rreth 20 vjet. Një nga mësueset që kanë dhënë kontribut në edukimin e shumë brezave. Që nga koha që ka dalë në pension është angazhuar rregullisht në aktivitete në të mirë të komunitetit.
Fatos Baxhaku
Gazetar i mirënjohur. Realizues dokumentarësh.
Gjatë rrugëtimit të tij në çdo vend të Shqipërisë, ka nxjerr në pah vlera, realitete, histori ndoshta të panjohura ose fare pak të njohura duke i dhënë një dimension të ri vendit tonë dhe njerëzve të tij të mrekullueshëm.
Drita Babameta
Drejtore e Shoqatës së Grave Rurale në Shqipëri. Ka ndihmuar me qindra e mijëra vajza e gra përmes konsultave psikologjike dhe asistencës shëndetësore. Ajo kryen këtë detyrë prej shumë vitesh, duke kaluar nga një zonë periferike në tjetrën në shërbim të njerëzve në nevojë.
Profesor Doktor Hamit Boriçi
Një ndër themeluesit e katedrës së parë të gazetarisë. Autor i shumë librave që kanë shërbyer si tekste mësimore, por jo vetëm. Ka dhënë kontribut të çmuar në edukimin e shumë brezash gazetarësh. Sot e kësaj dite në prag të 80-te, Profesor Boriçi vazhdon me devotshmëri të mësojë qindra studente përmes auditorëve universitare.
Tirana Bank
Nderohet si institucioni i cili ka dhuruar numrin më të madh të pemëve gjatë vitit 2009, duke iu përgjigjur nismës së Bashkisë së Tiranës “Një qytetar një pemë”. Për Tirana Bank, urojmë të kthehet në frymëzim për të gjitha bizneset e tjera, pasi qyteti ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Profesor Aleko Minga
Aleko Minga, Profesor i shkencave matematikore, ka dhënë kontribut të çmuar me punimet dhe botimet e tij shkencore. Krahas punëve shkencore për moshat adulte, Profesor Minga ka përkthyer dhe punuar gjithashtu literaturë për fëmijë.
Ilir Kerni
Balerin i mirënjohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Artist i Merituar, i nderuar me shumë çmime ndërkombëtare. Pas një mungese të gjatë në skenën e kryeqytetit kthehet në 2009-ën me “Arrëthyesin”, duke i shtruar vlera të veçanta zhanrit të baletit, i cili kalon prej vitesh krizë ashtu si dhe zhanret e tjera të artit.
Blendi Nallbani
Futbollist i mirënjohur. Ka filluar të aktivizohet si i ri i talentuar që në moshën 17 vjeçare dhe vazhdon të japë një kontribut të spikatur në fushën e sportit.
Kujtim Likzelia
Përfaqësues i Shoqatës “Për një të ardhme të Romëve”.
I është përkushtuar edukimit të rinisë rome. Ka dhënë kontribut dhe në promovimin e vlerave të kulturës rome. Ka përfaqësuar shoqatën në samitin Rom që u mbajt në Bruksel, në Kongresin Rom.
Jonida Ndreu
Nxënëse e shkëlqyer. Aktiviste në të gjitha aktivitetet sensibilizuese që organizon jo vetëm Bashkia e Tiranës, por dhe organizata të ndryshme rinore. Ka marrë pjesë në konferenca kombëtare e ndërkombëtare ku trajtohen problemet e rinisë duke përfaqësuar denjësisht rininë shqiptare.
24 Dhjetor 2009