E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, shkon në 7 numri i personave që humbasin jetën

Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë konfirmon viktimën e 7 si pasojë e virusit A/H1N1. Bëhet fjalë për rastin e një të riu 25 – vjeçar nga qyteti i Korçës, i cili bënte pjesë në kategorinë e paralegjikëve dhe tetraplegjikëve. Sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të përpunuara nga ISHP, pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera, të cilat përshpejtuan vdekjen e tij. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se të gjithë personat që vuajnë nga virusi pandemik dhe që kanë sëmundje të tjera, janë më të predispozuar që të kalojnë në gjendje të përkeqësuar shëndetësore, brenda një afati të shkurtër. Në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të gripit të derrit ndodhet edhe një grua në muajin e 5 të shtatzënisë.
Situata
Specialistët e shëndetësisë pranojnë se situata është alarmante dhe rastet e pacientëve në gjendje të rëndë janë përkeqësuar. Aktualisht, në gjendje kritike për jetën ndodhet gruaja shtatzënë nga qyteti i Kukësit, e cila pret dy binjakë. Në fillim gruaja ishte shtruar në spitalin e qytetit verilindor të Kukësit, më pas u transportua në Tiranë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe prej andej në spitalin e Sanatoriumit. Mjekja e Sanatoriumit, Irena Shima tregon se gruaja paraqet probleme me aneminë. Ajo mbahet me frymëmarrje të drejtuar për shkak të komplikacioneve në mushkëri që ka dhënë virusi AH1N1. Aktualisht, Gruaja ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve në Sanatorium. Ndërsa bëhet fjalë për 5 persona të tjerë që janë konfirmuar me virusin A/H1N1 dhe tashmë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët shprehen se pacientët ndodhen prej disa ditësh në gjendje të pandryshuar, në dy spitalet universitare, “Nënë Tereza” dhe “Shefqet Ndroqi”.
Rastet
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se deri më tani janë konfirmuar 373 raste të prekura në të gjithë vendin. Ndërsa janë kryer ekzaminimet për 2500 persona. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 -24 vjeç, ku vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë konfirmon zyrtarisht 7 rastet e personave që humbën jetën nga virusi i gripit të derrit. Rasti i parë që humbi jetën ishte pacienti 57 -vjeçar nga Sukthi i Durrësit. Një tjetër rast, ishte ai një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 5 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione.

Rastet
57– vjeçari nga Durrësi
47- vjeçarja nga Shkodra
53- vjeçari nga Shkodra
31- vjeçari nga Vlora
18- vjeçarja shtatzënë nga Berati
51- vjeçarja nga Kukësi
25- vjeçari nga Korça
Numri i të prekurve nga A/H1N1 373 raste

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›