Studentët e mjekësisë, miratohen 285 kuota për specializime
Emanuela Sako
Përcaktohen kuotat e studimit për specializimet e studentëve të mjekësisë, të cilat ishin mbajtur peng nga MASH. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e radhës, miratoi 285 kuota studimi për studentët e mjekësisë. Miratimi ka ardhur pas disa muaj vonesash, pasi Fakulteti i Mjekësisë ka bërë propozimet pranë MASH, 8 muaj më parë. Vitin e kaluar studentët e mjekësisë konkurruan në muajin korrik. Ndërsa, kishte 3 vjet ndërprerje për nisjen e studimeve për specializime për studentët e mjekësisë. Në këto kushte, Këshilli i Ministrave vendosi për kuotën e pranimit dhe tarifën e shkollimit në programet e ciklit të tretë, të studimeve specializuese afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin akademik 2009-2010. Fakulteti i Mjekësisë ka nxjerrë numrin e studentëve që duhen në çdo sektor spitalor. Në bazë të këtyre kërkesa, MASH dhe Fakulteti i Mjekësisë do të përcaktojnë një datë konkurrimi për studentët, ku do të vendosen kritere të reja. Ndërsa, kandidatët do të regjistrohen sipas sektorit që ata dëshirojnë të aplikojnë për punë.
Tarifa
Tarifa vjetore e shkollimit për studimet specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, do të jetë 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë. Sipas vendimit të qeverisë, studenti duhet t’i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Nga kuotat e përcaktuara të këtij vendimi, 21 kuota caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, të cilat administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve. Ndërsa, kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Deklarata
Kryeministri i vendit u shpreh se MASH dhe institucionet e tjera arsimore duhet të tregohen të kujdesshme përsa i përket sektorit privat. Sipas tij, është tepër e rëndësishme që të ketë kritere të forta në përzgjedhjen e studentëve edhe në sektorin privat. Me këtë nismë duhet të ngarkohet MASH-i, si institucioni i vetëm me autoritet të plotë për arsimin e lartë dhe gjithë arsimin në vend. “Zgjerimi i bazës spitalore dhe modernizimi i saj e bën krejtësisht të mundur që të ketë edhe fakultet mjekësie privat, pasi duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se numri i mjekëve për frymë nuk është në standardin evropian dhe ne duhet të rrisim diplomimin e kualifikimin e mjekëve” - theksoi kryeministri Berisha.
24 Dhjetor 2009