Bashkia e Roskovecit, investim me fondet e veta për rrugën kombëtare
Bashkia e Roskovecit ka vendosur të ndërhyjë për rikonstruksionin e rrugës kryesore të qytetit, edhe pse ajo bën pjesë në segmentin e rrugës kombëtare Fier-Berat. Një pjesë e këtij aksi rrugor përshkon mes përmes qytetin e Roskovecit, që ndodhet rreth 12 kilometra larg nga Fieri dhe afro 17 kilometra larg Beratit. Drejtuesit e njësisë vendore të Roskovecit kanë pritur tre vjet nga qeveria që ajo të lëvronte fonde për rikonstruksionin e rrugës. Por më në fund kanë vendosur ta rikonstruktojnë vetë atë. Lajmi konfirmohet nga sekretari i këshillit të Bashkisë Roskovec, Koli Xhixho, i cili shprehet për gazetën "Shqip" se me gjithë mungesën e kreut të bashkisë, Ylli Kola, i cili është për arsye shëndetësore në Amerikë prej katër muajsh, projektet kanë njohur rrugën e zbatimit dhe asnjë prej tyre nuk është penguar për faktin e mungesës së kryetarit. "I kemi prezantuar qeverisë disa herë projektin e rrugës kryesore të qytetit, e cila si në kohë me diell dhe në kohë me shi është një pengesë e madhe jo vetëm për komunitetin e qytezës së Roskovecit, por edhe të shumë drejtuesve të automjeteve që shkojnë në më shumë se 30 fshatra të Rrethit të Fierit. Gjithashtu, vështirësi për të kaluar në rrugën kryesore të Roskovecit kanë edhe drejtuesit e makinave që shkojnë drejt Beratit e më tej Skraparit e Çorovodës. Rruga kryesore e Roskovecit bën pjesë në rrugën kombëtare, por nuk ka gëzuar deri më sot asnjë atribut të statusit të saj, duke u lënë kështu e braktisur dhe pa ndërhyrje dhe fonde rikonstruksioni", thotë për gazetën sekretari i këshillit të bashkisë, Koli Xhixho.
Vendimi për të ndërhyrë në këtë segment rrugor, që është afro 1.2 km i gjatë, është marrë në këshillin e bashkisë, i cili ka vendosur që në fillim të vitit 2009 të nisë nga rikonstruksioni rruga në fjalë. Në projekt, fondet e të cilit do të lëshohen nga të ardhurat e bashkisë, është parashikuar jo vetëm rikonstruksioni që duhet kryer në mënyrë të menjëhershme, por edhe kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha si dhe ndriçimi dhe gjelbërimi. Ndërkohë, drejtoria e përgjithshme e rrugëve e ka shmangur këtë pjesë rruge që është në inventarin e saj. "Duke vlerësuar ankesat me të drejtë të komunitetit, i cili dimër e verë përmbytet dhe ndjen vështirësi kur kalon në qendër të qytetit, si dhe ankesat e kryera nga shumë drejtues automjetesh, këshilli bashkiak ka vendosur të zbatojë me fondet e veta projektin e rikonstruksionit të aksit në fjalë", sqaron Xhixho.
Sekretari i këshillit të bashkisë thotë gjithashtu se largimi i kreut të bashkisë, Ylli Kola, në Amerikë, nuk e ka penguar këtë njësi vendore që të çojë më përpara projektet.