E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, nis fluksi i emigrantëve në kufi

Rritet ndjeshëm fluksi i emigrantëve në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek. Vetëm në dy ditë, të paktën 14 mijë shtetas kanë hyrë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, me mbi 3100 mjete. Situata e rënduar në kufi ka bërë që për shkak të dyndjes së menjëhershme të tyre të krijohen radhë të gjata në territorin grek, edhe pse ka pasur një përmirësim me shtimin e numrit të sporteleve deri në katër të tilla nga ana e palës greke. Gjatë kësaj fundjave, për më shumë se katër orë emigrantët shqiptarë të cilët po kthehen në vend për festat e fundvitit kanë pritur në kufirin grek, ndërsa radhët kanë arritur deri në dy kilometra në territorin doganor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Shkak për situatën e rënduar është bërë fakti se nga ana e palës greke, deri të shtunën pasdite është punuar me një sportel të vetëm dhe me ritme tepër të ngadalta, ndërkohë që vetëm dje janë hapur katër sportele, të cilat edhe pse kanë përballuar situatën e rënduar, nuk kanë shmangur radhët për shkak të fluksit të madh të emigrantëve në hyrje të territorit shqiptar. Në një kohë kur ka pasur një rritje të ndjeshme të fluksit në kufi, me të paktën 7000 persona të regjistruar gjatë 24 orëve, emigrantët shprehen se janë detyruar të presin në radhë kilometrike nisjen e procedurave nga ana e palës greke. Territori doganor edhe në pjesën shqiptare prej dy ditësh ka qenë i mbushur nga mjetet e shumta, të cilat nga ana e policisë janë vendosur në tre radhë paralele për të përballuar me shpejtësi kalimin dhe kryerjen e procedurave. Nga ana e policisë kufitare të Kapshticës janë hapur shtatë sportele për të kryer procedurat e kalimit, ndërkohë që fluksi i madh i emigrantëve është dashur të disiplinohet për të mos krijuar konfuzion për shkak të numrit të madh të mjeteve. Sipas komandantit të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, Edmond Çela, vetëm për disiplinimin e mjeteve në kufi është dashur të angazhohen efektiva shtesë të policisë kufitare. Nga ana e policisë kufitare janë hapur shtatë sportele, por nga ana e palës greke është punuar deri të shtunën pasdite vetëm me një sportel, gjë që ka vështirësuar së tepërmi situatën. Me futjen e mjeteve të shumta është parë e nevojshme që të punohet paralelisht në të shtata sportelet, për të mos krijuar vonesa dhe konfuzion nga numri i madh i hyrjeve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë të paktën 7000 shtetas me mbi 1450 mjete. Rreth orës 15:30 të ditës së shtunë, nga ana e policisë greke ka nisur puna dhe janë vendosur në dispozicion të emigrantëve katër sportele. Problemet krijohen kryesisht gjatë natës, kur fluksi është i madh dhe ritmet e punës janë të ngadalta, duke bërë që në territorin e doganës greke të ketë shumë mjete dhe radhë të cilat më pas, gjatë hyrjes së menjëhershme në territorin shqiptar, krijojnë situatë të rënduar. Megjithatë në territorin tonë të kësaj pike kufitare është bërë kalimi me procedura të shpejta dhe asnjë shtetas nuk është vonuar në kufi", tha Edmond Çela. Sipas të dhënave nga policia kufitare, pritet që në ditët në vijim të ketë një fluks të madh hyrjesh në kufi, por edhe shtim të lëvizjeve në dalje. Deri tani kanë hyrë nga kjo pikë kufitare rreth 60 mijë shtetas, ndërkohë që java e fundit e dhjetorit pritet të regjistrojë deri në 70 mijë emigrantë të tjerë që vijnë për festat e fundvitit. Fluks të madh lëvizjesh ka pasur edhe në pikën kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër, por autoritetet policore atje thonë se ky fluks është përballuar pa probleme serioze. Edhe në Kakavijë, pala greke ka pasur pak sportele në dispozicion, por vonesat në përpunimin e njerëzve dhe mjeteve nuk kanë krijuar probleme të mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›