Kapen dy emigrantë që grabitën bashkudhëtarët
Dy emigrantë janë arrestuar sapo kanë kaluar në territorin shqiptar nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Ata janë vënë në pranga sapo kanë arritur në kufi, pasi kanë vjedhur në tokë greke me dhunë dy shtetas nga fshati Zvezdë i Korçës, duke u zënë pritë në rrugë dhe duke u marrë me dhunë paratë që kishin me vete. Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar shtetasin Isuf Disha, 36 vjeç nga Durrësi dhe shokun e tij, Katan Kaçaniku, 20 vjeç, po nga qyteti i Durrësit. Sipas policisë, të dy këta shtetas ishin nisur dy ditë më parë për në Shqipëri dhe u kanë zënë pritë disa emigrantëve të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në tokën greke, në afërsi të fshatit Mikrolin të Follorinës. Policia ka bërë të ditur se dy emigrantët nga fshati Zvezdë i Korçës kanë denoncuar se janë vjedhur me dhunë në rrugë dhe kjo ka ndodhur në datën 19 dhjetor. Pas një pune të gjatë, policia ka mundur të identifikojë autorët edhe në bashkëpunim me policinë greke ata janë arrestuar në Kapshticë. Nga ana e të dëmtuarve është bërë edhe identifikimi i autorëve të vjedhjes.