E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjava, 14 mijë pasagjerë zbarkuan në Portin e Durrësit

Gjatë dy ditëve të fundjavës kanë hyrë në Shqipëri nga Porti detar i Durrësit afro 14000 shtetas, pjesa më e madhe e tyre emigrantë shqiptarë dhe kosovarë që kthehen për festa në atdhe. Gjithashtu janë futur në vend rreth 3000 automjete. Shumica e hyrjeve në vend janë shtetas shqiptarë, po nga dita në ditë regjistrohet rritje dhe në hyrjen e personave me shtetësi të huaj. Vetëm gjatë të shtunës në Portin e Durrësit kanë zbarkuar 6470 persona me 1347 automjete, prej të cilëve 2824 me shtetësi të huaj. Ndërkaq, dita e diel ka qenë dhe më e ngarkuar në mbërritjet e emigrantëve me tragetet e linjave detare që lidhin Durrësin me portet italiane. Fluksi do të jetë i lartë dhe në ditët në vazhdim për të mbërritur kulmin një ditë para Krishtlindjeve. Për të përballuar këtë fluks pasagjerësh, agjencitë kanë shtuar numrin e trageteve dhe lundrimeve, ndërsa shërbimet e kontrollit të kufirit dhe atij doganor po punojnë me kapacitet të plotë. Janë në funksionim të gjitha sportelet për t‘iu përgjigjur në një kohë sa më të shkurtër nevojave të emigrantëve për të pushuar pranë familjeve dhe të afërmve të tyre në këtë fundvit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›