Vlorë, bllokohen 17 mijë copë fishekzjarrë kontrabandë
Inspektorë të zyrës së tatim taksave në Vlorë kanë kryer dje një aksion për kontrollin e disa njësive tregtare, të cilat tregtojnë fishekzjarrë. Qëllimi i kontrollit ka qenë zbulimi i fishekzjarrëve të futur kontrabandë nëpërmjet pikave kufitare dhe doganore, si dhe atyre nuk janë brenda standardeve të lejuara për përdorim. Nga kontrolli i ushtruar në 24 subjekte të qytetit, nga inspektorë të zyrës së tatim-taksave janë konstatuar se kanë qenë në shitje një sasi e konsiderueshme fishekzjarrësh që nuk janë deklaruar në pikat doganore, por nuk dihet saktësisht se nga cila pikë doganore është futur kjo sasi malli që nuk lejohet të përdoret për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për përdoruesit. Sipas specialistëve të tatim-taksave, fishekzjarrët mendohet të jenë futur në pikat e kalimit kufitar nëpër kuti që kanë pasur mallra të tjera, duke shmangur kështu kontrollin. Në përfundim të aksionit u llogarit se ishin sekuestruar 17 mijë copë fishekzjarrë që ishin futur kontrabandë në Shqipëri. Kontrolli i inspektorëve të tatim-taksave të Vlorës do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme për të bllokuar fishekzjarrët që nuk plotësojnë normativat e përdorimit dhe që janë futur kontrabandë.