Bashkia e Shkodrës gjobit G99
Nuk respekton vendet e përcaktuara nga bashkia për vendosjen e posterave, gjobitet partia më e re politike G99. Policia bashkiake e Shkodrës ka gjobitur me 30 mijë lekë partinë G99 pas vendosjes së posterave të kësaj force politike në rrugët kryesore të qytetit, jashtë vendeve të përcaktuara nga bashkia. Sipas kësaj të fundit, vendosja e posterave është bërë në kundërshtim me urdhëresën e KQZ-së, sipas së cilës udhëzohen të gjitha subjektet politike, që garojnë për zgjedhjet e 28 qershorit, të respektojnë vendet e përcaktuara nga njësitë vendore përkatëse, për afishimin e posterave elektorale. Duke sqaruar gjobën e vënë, drejtues të Bashkisë së Shkodrës shprehen se është përcaktuar që tabelat që ndodhen në trotuare, mund të përdoren për postera, por jo çdo objekt që ndodhet përballë rrugës kryesore. Masa e bashkisë është dhënë vetëm dy ditë pasi në zonat kryesore të qytetit, janë vendosur afishe që reklamojnë forcën politike G99 dhe kreun e listës së kandidatëve për deputet të kësaj partie për Qarkun e Shkodrës, Roland Ilia. Ai reagoi menjëherë pas vendimit, në cilësinë e kreut të G99 për degën e Shkodrës, duke thënë se: "Vendimi i Bashkisë së Shkodrës është krejtësisht i qëllimshëm dhe i padrejtë, pasi ne nuk jemi kompani private, por forcë politike dhe si e tillë po na mohohet e drejta për të ushtruar aktivitetin politik dhe të bërit fushatë".