E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet procesi në Korçë, në Berat stoqe kartash

Vijojnë problemet me procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja, ndonëse data e zgjedhjeve po afron.

Korçë

Në Korçë, procesi i aplikimit është bllokuar për disa orë. Shkak është bërë një defekt në linjën e internetit, gjë që ka çuar në bllokimin e procedurave për aplikantët, por edhe me regjistrimin e shtetasve që duhet të marrin në dorëzim kartat tashmë të prodhuara. Pas një shkëputjeje njëditore të linjës së internetit, që shkaktoi radhë të gjata pranë kësaj zyre dhe në refuzimin e shërbimit ndaj qytetarëve, i njëjti problem është rishfaqur kur banorët kanë qenë të detyruar të presin në radhë deri në riparimin e linjës. Si pasojë e mungesës së internetit, shërbimi u është mohuar të paktën 80 personave. Burimet zyrtare thonë se ka pasur një defekt të rëndë në fibrin optik dhe janë dashur dy ditë për t‘u riparuar. Puna ka rifilluar dje në mesditë, me pranimin e aplikimeve.

Berat

Ndërkohë, në Berat, prefekti Kostandin Lefta ka pohuar se procesi është drejt përfundimit. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të paraqiten në zyrat ku kanë aplikuar, për të tërhequr kartat e identitetit, pasi janë krijuar stoqe. Sipas tij, në 25 zyrat e aplikimit të qarkut kanë mbetur pa u tërhequr 15547 karta. Deri tani, në tre rrethet e Qarkut Berat kanë aplikuar 35267 persona pa pasaportë ose 93 për qind e numrit të personave që nuk kanë mjet identifikimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani, në 25 njësitë vendore të qarkut janë edhe 2667 persona pa aplikuar. "U bëj apel të gjithë personave që kanë aplikuar dhe ende nuk janë paraqitur për të marrë kartat pranë zyrave të aplikimit që të shkojnë t‘i tërheqin. Për t‘u ardhur në ndihmë qytetarëve, ne kemi urdhëruar zyrat e aplikimit që të qëndrojnë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes", ka nënvizuar prefekti Lefta. Gjithsesi ai shprehet optimist se procesi i pajisjes me letërnjoftimet e reja do të përfundojë me sukses brenda afateve ligjore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›