E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, zbulohet dhunuesi i zyrës elektorale të PS-së

Shoqërohen në polici dy persona të dyshuar si autorë të dhunimit disa herë të zyrës elektorale të Partisë Socialiste në fshatin Vashtmi të Korçës. Burime zyrtare nga policia lokale bënë të ditur se të martën, rreth orës 13:15, është konstatuar se posterat dhe flamujt në zyrën elektorale të PS-së ishin hequr sërish, duke shënuar të tretin rast të ndërhyrjes në godinën e marrë me qira nga subjekti politik. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, por edhe një grup hetimor, që bëri shoqërimin e dy personave të dyshuar fillimisht për autorësinë e incidenteve. Më pas, sipas burimeve të policisë rajonale, është konkluduar se autor i ngjarjes është shtetasi Feridon Babani nga qyteti i Korçës. Policia bëri të ditur se nga hetimet rezultoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti pronësie mes autorit dhe shtetasit Muharrem Islami, për shkak të pretendimeve nga njëra anë mbi pronësinë e truallit dhe nga ana pala tjetër për pronësinë e godinës së dhënë me qira subjektit politik të majtë. Në një deklaratë zyrtare, Policia e Korçës pohoi se në zyrën elektorale të PS-së, në fshatin Vashtmi, janë hequr posterat dhe flamujt, të cilët janë futur brenda ambienteve të godinës. "Me marrjen e njoftimit nga ana jonë është formuar grupi hetimor, i cili pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes ka konkluduar se autor i kësaj ngjarjeje është 45-vjeçari Feridon Babani, i cili rezulton të ketë qenë i dënuar më parë. Ai, pas një konflikti me shtetasin Muharrem Islami, ka kryer veprimin e heqjes së posterave dhe flamujve", u shpreh zëdhënësi i Policisë së Korçës. Nga hetimet e policisë rezultoi se Babani pretendon se është pronar i truallit mbi të cilin është ndërtuar ky objekt, ndërkohë që nga ana e tij, shtetasi Muharrem Islami, pretendon se është pronar i objektit ku është vendosur qendra elektorale e Partisë Socialiste.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›