E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Stambollit, binjakëzim me Tiranën

Kryetari i socialistëve, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Taip Erdogan. Kreu i qeverisë turke shprehu kënaqësinë e veçantë që i jepet rasti të takojë liderin e opozitës Edi Rama. Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri u konsideruan nga ana e Kryeministrit Erdogan tejet të rëndësishme në të gjitha dimensionet; atë ushtarak, ekonomik, tregtar, etj. Gjithashtu, Erdogan e informoi kryetarin e PS-së Rama lidhur me angazhimin e Turqisë për lobimin në Konferencën Islamike për njohjen nga një numër vendesh të shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe shprehu besimin që së shpejti pavarësia e Kosovës do të njihet dhe nga shtetet e tjera. Erdogan vlerësoi punën dhe ndryshimet që janë bërë në Tiranë dhe popullaritetin që Rama gëzon në sajë të punës së tij të lavdërueshme, duke u zgjedhur në mandatin e tretë të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi vizitën e Kryeministrit Erdogan dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis Turqisë dhe Shqipërisë. Ai u ndal gjithashtu te prania e biznesit turk në Shqipëri, duke veçuar biznesin privat, si një biznes cilësor që i përgjigjet stadit aktual të zhvillimit në Shqipëri. Gjithashtu, Rama sugjeroi një prani më të madhe të investimeve turke në Kosovë. Në takim u shpreh dëshira që bashkëpunimi midis Tiranës dhe Stambollit të intensifikohet përmes binjakëzimit të bashkive respektive, po ashtu edhe vullneti i opozitës që në të ardhmen, marrëdhëniet tradicionale Shqipëri-Turqi do të mbeten të një rëndësie të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›