"Turqia do të lobojë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO"
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, i cili ndodhet për një vizitë zyrtarë në vendin tonë, është pritur dje edhe nga Presidenti Topi dhe Kryetarja e Kuvendit, Topalli. Gjatë takimit, Kryetarja Topalli i ka uruar mirëseardhjen Kryeministrit turk. Erdogan ka theksuar se "ashtu siç ju premtova gjatë vizitës suaj në Turqi, unë erdha në Shqipëri, dhe ky është një rast shumë i mirë për dinamizimin e bashkëpunimit, të cilit në 5 vitet e fundit, gjatë qeverisjes sime, i kemi dhënë një rëndësi shumë të veçantë". "Konstatoj me kënaqësi, - ka vijuar ai, - se në këto tre vjet, në Shqipëri ka transformime të mëdha pozitive". Topalli i ka kujtuar Kryeministrit Erdogan se vizita e tij në Shqipëri përkon me dy ngjarje historike. E para është shpallja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Kryeministri turk ka marrë falënderimet për njohjen e shpejtë që Turqia i bëri shtetit të ri, por edhe për influencën në vende të tjera të zonës në mbështetje të Kosovës së pavarur. Së dyti, Shqipëria është optimiste për marrjen së shpejti të ftesës për anëtarësim në NATO. Vendi ynë i është mirënjohës Turqisë për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdoni t‘i japë në këtë perspektivë. "Mbështetja jonë për anëtarësimin e vendit tuaj në NATO do të jetë e plotë dhe e vazhdueshme dhe ju premtoj se do të lobojmë me të gjithë fuqinë tonë në Samitin e Bukureshtit për të mbështetur Shqipërinë në marrjen e ftesës për anëtarësim. Ne dëshirojmë që vendet e A3-shit ta marrin këtë ftesë", është shprehur Erdogan.