E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan: Gazsjellësi EGL, të kalojë edhe në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka marrë mbështetjen e palës turke lidhur me ndërtimin e gazsjellësit "Greqi-Itali", projekt i shoqërisë zvicerane EGL. Duke qenë se Turqia ka një rol kyç në zbatimin e projektit, pasi të gjitha tubacionet shtrihen brenda saj, qëndrimi i Kryeministrit Erdogan është një mbështetje e fortë, një votë plus që gjurmët e gazsjellësit të prekin edhe Shqipërinë. Lidhur me këtë pikë, në bisedat e dy delegacioneve, projekti ka zënë një hapësirë të konsiderueshme, dhe këtë gjë e vërteton Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë sonë e mirëpriti gatishmërinë e Kryeministrit Erdogan për të inkurajuar bashkëpunimin e sipërmarrjes turke të gazit BOTASH me konsorciumin EGL në këtë drejtim. Ndihma e Turqisë është shumë e rëndësishme dhe e mirëpritur, u shpreh Kryeministri. Ndërsa Kryeministri turk u shpreh se, "për sa i përket çështjes së gazit natyror është ende i vlefshëm premtimi ynë që gazsjellësi që siguron gazin nga deti Kaspik e që kalon nga Turqia, Greqia dhe shkon në Itali, të degëzohet drejt Shqipërisë. Unë do t‘ia përsëris kërkesën institucionit tonë përkatës në këtë fushë". Lidhur me projektin qindra milionë dollarësh, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në raportin e saj të fundit për vitin 2007 është shprehur se, "është bërë miratimi në KRT-në e qarqeve të gjurmës së projektit të gazsjellësit që do të kalojë

nëpër territorin shqiptar të projektuar nga kompania zvicerane EGL, po ashtu është miratuar edhe në KRTRRSH". Por në planet e qeverisë ekzistojnë të tjera projekte si, gazsjellësi Ionian Adriatik, (IAP) si pjesë e Unazës së Ballkanit Perëndimor, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë ose projekti i gazsjellësit të propozuar nga "Prometheus Gas SA" dhe ndërtimin e një TEC-i në rajonin e Korçës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›