E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës ; “One stop shop” edhe për bizneset e vogla

Numri i bizneseve të vogla të regjistruar pranë Bashkisë së Tiranës arrin në 18 mijë, ndërsa shumë shpejt pritet të ngrihet edhe "one stop shop"-i për biznesin lokal.

Përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës, Belina Balluku, u shpreh dje gjatë një dreke pune të organizuar në hotel “Rogner” nga Dhoma Amerikane e Tregtisë se që nga viti 2007, numri i biznesit të vogël të regjistruar arrin në 18 mijë.

Sipas saj, Bashkia e Tiranës synon futjen e elementëve të ri në sistemin fiskal për të përmirësuar dhe lehtësuar procedurat për biznesin.

Ajo u shpreh gjithashtu se tashmë po hartohet edhe një projekt që ka të bëjë me ngritjen e një qendre "one stop shop", e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet për biznesin, regjistrimin, lejet, licencat, etj., në një pikë të vetme.

Përurohet palestra e shkollës “Vasil Shanto”

Palestra e shkollës 9-vjeçare "Vasil Shanto" i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, falë një financimi prej 6 972 717 lekësh nga Bashkia e Tiranës. Struktura e ngritur me skelet metalik dhe muraturë tulle, është plotësuar me të gjitha punimet e nevojshme ndërtimore.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke përuruar palestrën e re, tha se “vënia në dispozicion e këtij mjedisi kaq të favorshëm për t’u shoqërizuar dhe për të luajtur, për fëmijët të shkollës “Vasil Shanto”, është pjesë e politikave të Bashkisë së Tiranës. Ajo ka qëllim përmirësimin e infrastrukturës sportive, jo vetëm në shkolla, por në të gjithë kryeqytetin, duke rritur kështu potencialin për krijimin e kushteve optimale për sa i përket aktiviteteve sportive e mjedisore”.

Shkolla 9-vjeçare ''Vasil Shanto'' ndodhet në kryqëzimin e rrugës ''Bajram Curri'' me rrugën ''Sulejman Delvina'', në një zonë të rëndësishme të kryeqytetit, me një densitet të konsiderueshëm banimi dhe aktivitetesh të ndryshme social- shoqërore.

Ndihma Ekonomike

Punë me familjet problematike

Për personat që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Bashkia e Tiranës është propozuar që së fundmi të aplikohet punë publike me shërbimet në komunitet. Këtë vit është vendosur që të aplikohen edhe shërbimet në familje për të moshuarit dhe të vetmuarit, ku personat që marrin ndihmë ekonomike nga bashkia, tanimë punësohen edhe në këtë shërbim. Ofrimi i shërbimit në familje synon të ofrojë një alternativë të re të punës në komunitet për personat e aftë për punë, si dhe përfitues të skemës së ndihmës ekonomike si dhe t’u vijë në ndihmë të moshuarve të cilët për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje të kujdesen për veten e tyre. Këta persona mund të pastrojnë dhe rregullojnë ambientet e shtëpisë, të bëjnë pazar, shoqërimin e të moshuarve në institucionet publike dhe jopublike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›