Bashkia e Tiranës ; Art përmes riciklimit të mbetjeve urbane
Fushata mjedisore “Për reduktimin e mbetjeve urbane”, e cila po zhvillohet kryesisht në Pavijonin e Qelqtë, po merr trajta artistike. Kështu, Bashkia e Tiranës, duke parë interesin gjithnjë e në rritje të fëmijëve të kopshteve dhe shkollave ka vendosur të organizojë Javët e Riciklimit me sloganin “Riciklo, bëj art!”, një miniprojekt me punime artistike me tematikë dhe materiale të riciklimit.
Shpallja e projektit do të bëhet në datën 4 prill, në shkollat dhe kopshtet e kryeqytetit. Nxënësit do të orientohen për punimet që priten të ekspozohen dhe mënyrën e organizimit. Ndërkohë, të gjitha shkollat dhe kopshtet e interesuara do të regjistrohen në konkurs. Punimet do të jenë instalacione artistike me tematikën e riciklimit, duke pasur tashmë një përvojë të marrë gjatë ditëve të fushatës, gjatë leksioneve dhe orëve të mësimit të zhvilluara në Pavijonin e Qelqtë.
Finalja e këtij aktiviteti do të jetë data 22 prill, kur do të ekspozohen në Pavijon edhe instalacionet e nxënësve dhe do të shpallen fituesit. Nxënësve do t’u jepet mundësi të shpjegojnë si i kanë kthyer mbetjet në krijime artistike, materialet që kanë përdorur si dhe mesazhin që ato transmetojnë përmes punimeve.
Duket se fusha mjedisore e bashkisë ka gjetur më shumë mbështetje tek brezi i ri, fëmijët, të cilët kanë qenë edhe objektivi kryesor në këtë aksion sensibilizues. Fushata do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, me të tjera aktivitete.
Klinika dentare
Licencat, ASHR-ja ushtron kontroll tek privatët
Inspektorët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në klinikat private dentare, për sa i përket licencimit dhe rilicencimit të ushtrimit të aktivitetit të tyre. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, tha: "Që prej muajit dhjetor 2008 e deri tani është kryer kontrolli i 213 kabineteve të shërbimit stomatologjik privat në rajonin e Tiranës për ushtrimin e aktivitetit të tyre, ndërkohë që në rast të konstatimit të shkeljeve, do të merren dhe masat përkatëse".
Në kuadër të reformës për decentralizimin e veprimtarisë private në fushën e shëndetësisë, Drejtoritë e Shëndetit Publik kanë kompetencat ligjore për kontrollin e plotësimit të kritereve e standardeve. Më parë, ASHR-ja jepte vetëm lejen higjieno-sanitare të klinikave dentare private, si dhe një akt miratimi nga shërbimi stomatologjik.
Krahas kësaj, ASHR-ja vijon kontrollet për kushtet higjieno-sanitare të klinikave private stomatologjike, por dhe të kabineteve dentare në institucione publike, si shkolla etj.
Pas kontrolleve periodike të planifikuara të kabineteve të shërbimit stomatologjik publik janë lënë detyrat përkatëse, ku janë evidentuar probleme, zbatimi i të cilave po ndiqet në vazhdimësi.