E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzotikë dhe histori shqiptare në librin e Arben Putos



Shtëpia botuese “Toena”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, hedh në qarkullim librin e akademikut Arben Puto “Shqipëria politike 1912-1939”

Sapo ka dalë nga shtypi dhe është hedhur në qarkullim një libër i ri nga akademiku Arben Puto, "Shqipëria politike 1912-1939". Autor i njohur i veprave me karakter historik, analitik e diplomatik, pas 6 viteve pune intensive, ai, ka sjellë për lexuesin shqiptar historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, që nga Ismail Qemali e deri në fundin e Mbretërisë së Zogut, me pushtimin fashist të vendit në prill të vitit 1939. Kjo është historia e periudhës vendimtare të Pavarësisë, lindjes dhe ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar. Është hartuar mbi një bazë të gjerë punimesh, arkivave të brendshme dhe të jashtme, të plotësuara me burime bibliografike dhe dokumentare. Në rrethanat e reja të lirisë së krijimtarisë, autori u përmbahet rigorozisht burimeve dhe jep gjykimet e tij për faktet dhe ngjarjet, i çliruar nga çdo ndërhyrje jashtëshkencore, i ndarë nga çdo version zyrtar. Qëllimi i këtij punimi është të bëjë një histori kryesisht politike të Shqipërisë të periudhës prej Shpalljes së Pavarësisë në 1912 deri në pushtimin nga Italia fashiste në 1939. Autori është i ndërgjegjshëm se veprat e tij historiko-diplomatike të kohës së regjimit komunist, vende-vende nuk i kanë shpëtuar metodës mbizotëruese të kohës. Por ai është gjithnjë i bindur për vlerat që ato përmbajnë si një gur më tepër në ndërtesën e historiografisë shqiptare, e cila më parë ose ishte amatoreske ose mungonte fare, sidomos për disa nga momentet kyçe të historisë sonë kombëtare. Sidoqoftë, shpresohet se në këtë punim të periudhës 1912-1939 do të çmohet një përpjekje për t’iu përmbajtur frymës së re të lirisë së krijimtarisë, që nuk imponon interpretime dhe konkluzione aprioristike, frymës që e lë krijuesin vetëm përballë materialit historik, pa asnjë ndërhyrje jashtëshkencore.

Pa mohuar rolin e faktorit ndërkombëtar, kryesisht imperialist, kundërshtohen tezat e vjetra e të reja që e quajnë Shqipërinë e pavarur krijesë të diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Libri u jep përgjigje problemeve të shumëllojshme që dalin në jetën e brendshme të vendit e në procesin e dyanshëm të arritjeve të rëndësishme dhe të kufizimeve të regjimit represiv. Në politikën e jashtme nuk gjendet alternativë kundrejt marrëdhënieve gjithnjë e më të shpeshta me Italinë, që e ktheu Shqipërinë në një sferë ekskluzive të interesave të saj.

Agresioni i prillit 1939 është përfundimi logjik. Në kohën kur bëhet një zhurmë e madhe, shpesh abuzive dhe për qëllime politike për rishikimin e Historisë së Shqipërisë dhe të kaluarës së popullit shqiptar, libri i prof. Putos është një kontribut dhe shembull se si duhet parë Historia e Popullit Shqiptar nën dritën e të dhënave dhe dokumenteve të reja, të panjohura më parë për arsye nga më të ndryshmet, dhe përse duhet vlerësuar fjala dhe vepra e studiuesve të fushës, shkencëtarëve të historisë, për të arritur në përfundime e konsiderata sa më të drejta për të kaluarën. “E shkruar bukur dhe me një stil të këndshëm, duke përshkuar, jashtë fakteve dhe analizave, edhe ndodhi e ngjarje të panjohura për personazhet e kohës, pa kursyer notat ekzotike që nga Edith Durhami me malësorët shqiptarë, e deri te jeta përrallore e familjes mbretërore dhe e princeshave të bukura, libri i Putos lexohet me një frymë, edhe pse ka plot 740 faqe në format të madh”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›