Bashkia e Tiranës: Bode të zhbllokojë fondet që na takojnë
Bashkia e Tiranës akuzoi sërish Ministrin e Financave Ridvan Bode, për bllokim të fondeve të këtij institucioni. Bëhet fjalë për 101 milionë lekë të reja. Këto fonde do të shkojnë për pagesa që bashkia u detyrohet 24 kompanive private të kryejnë shërbimet publike në kryeqytet, siç janë pastrimi apo ndërtimi i rrugëve. Me anë të një deklarate për mediat, Ministria e Financave iu përgjigj akuzave, duke i cilësuar krejtësisht propagandistike. "I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit, të kryejnë detyrimet e tyre të përcaktuara qartësisht nga ligji dhe të paguajnë sipas praktikave të paraqitura nga Bashkia e Tiranës, të gjitha kompanitë private që kanë ofruar shërbime për kryeqytetin gjatë vitit 2009, pasi nuk është problem i qindra punonjësve të këtyre kompanive, arka e boshatisur e shtetit", u shpreh zëdhënësja për shtyp e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushi. Ajo shtoi se deklarata e Ministrisë së Financave është e gënjeshtërt. Por kjo e fundit i ka kërkuar bashkisë të miratojë buxhetin e saj për vitin 2010, pasi vetëm kështu pagesat do të bëhen pa asnjë lloj kufizimi." Buxheti i vitit 2010 është vënë në dispozicion të gjithë përfituesve nga fondet e autorizuara prej tij që në dt 1.01.2010 dhe pagesat për to bëhen pa asnjë lloj kufizimi nga Thesari, i cili disponon mjetet monetare në masë të plotë të shumave të programuara në ligjin e buxhetit 2010", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Sipas saj, Bashkia e Tiranës dhe njësitë e qeverisjes vendore, që ende nuk kanë miratuar buxhetin e vitit 2010, deri në miratimin e tij, do të shërbehen në degët e thesarit në përputhje me Ligjin Nr.9936, datë 26.6.2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë". Pra do të autorizohen të kryejnë çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor në vitin buxhetor paraardhës. "Dega e Thesarit në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk kanë penguar, përkundrazi kanë bashkëpunuar dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit. Ftojmë Bashkinë e Tiranës që të lerë mënjanë retorikën politike dhe të hartojë dhe miratojë në kohë buxhetin e saj për vitin 2010", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.